Nga Gazeta ‘Si’- Vetëm 253 serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Por pas thirrjes së Listës Serbe për bojkot, serbët e veriut e bojkotuan pothuaj tërësisht referendumin dhe KQZ pas mbylljes së vendvotimeve e shpalli atë të dështuar.
“Andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi.
Lista Serbe në muajin janar të këtij viti kishte marrë pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit në Mitrovicë të Veriut, Zveҫan, Leposaviq dhe Zubin Potok, por vetëm disa ditë para referendumit të së dielës, ajo bëri thirrje për bojkot, thirrje kjo që u dëgjua nga serbët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas dështimit të referendumit, tha se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.
“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkroi Presidentja në profilin e saj social. Presidentja Vjosa Osmani, shkroi më tej se “me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe masat kundër Kosovës të hiqen menjëherë.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “rezultatet e votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”.
“20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin, për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20% por jo edhe 50%”, shkroi kryeministri.
Reagime pas dështimit të votimeve në veri pati edhe nga SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shprehën keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk morën pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




