Analize

‘Prapakthehu’ i Listës Serbe i shërben Kosovës/ Çfarë ndodh me kryetarët shqiptarë pas dështimit të zgjedhjeve në veri

Nga Gazeta ‘Si’ - Katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës do t’i sigurojnë vetes së paku edhe një vit qeverisje të sigurtë pasi zgjedhjet e sotshme, që u zhvilluan ‘nën hijen e bojkotit’, dështuan.

Retorika e ashpër kundërshtuese e serbëve, të cilët që prej vitit të kaluar rrekeshin të lobonin për shkarkimin e kryetarëve, u zbeh vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, kur më 7 prill ata bënë ‘prapakthehu’ dhe u tërhoqën nga procesi i votimit.

Bojkoti i serbëve në favor të Kosovës

Me arsyetimin se “procedurat e planifikuara janë të pamundura dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, bëri thirrje për bojkot duke shkaktuar jo pak konfuzitet.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut se, sipas të dhënave zyrtare, në veri të Kosovës janë rreth 46 mijë votues me të drejtë vote, porse situata në terren ka ndryshuar, sepse në muajt e fundit, sipas tij, rreth 15 për qind e serbëve ishin shpërngulur.

Kjo lëvizje e re prej tyre, e cila pamundësoi një votim të suksesshëm prej 50% + 1 të qytetarëve, në thelb i shërben vetëm Kosovës. Tani që votimi u shpall i dështuar, sipas ligjit në Kosovë, qytetarët nuk do të kenë më mundësi për një vit që të mbledhin nënshkrime të tjera për shkarkimin e kryetarëve.

Kjo periudhë 1-vjeçare e qëndrimit të kryetarëve shqiptarë në pushtet përkon në fakt edhe me zgjedhjet e rregullta lokale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.

Ndonëse përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Europian thanë se bojkoti nuk do të sjellë asnjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri, Lista Serbe e cila ishte e para që inicioi mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve, nuk bëri kthim.

Gjithçka nisi me vendimin për targat dhe u përshkallëzua në prill të 2023

Vera e 2022-shit entuziazmoi kryeministrin Albin Kurti për të ndryshuar kursin e dialogut me Serbinë, duke pretenduar se do të zbatonte marrëveshjet që nuk i kishin zbatuar qeveritë e kaluara.

Qeveria e Kosovës e cila atëbotë vendosi të zbatonte një plan në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS, refuzoi kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për të zgjatur periudhën e konvertimit të targave.

Ky vendim nxiti reagimin e serbëve lokalë, të cilët në shenjë kundërshtimi fillimisht bllokuan rrugët. Mandej, ai u bë shkak për largimin e serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale.

Pasi drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, refuzoi të zbatonte vendimin e qeverisë për targat, autoritet kosovare e pezulluan nga puna. Kjo nxiti Listën Serbe të largohet nga Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës. Veprimet u shoqëruan edhe me dorëheqjen e serbëve nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veriore.

Largimi i kryetarëve të komunave veriore, nxiti presidenten Vjosa Osmani që të shpallte mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave më 23 prill të vitit të shkuar.

Edhe vitin e shkuar, Lista Serbe bëri thirrje për bojkot duke nxitur në votime një pjesëmarrje që ishte me pak se 3%.  Udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takim me katër kryetarët e rinj, 11 maj 2023

Zgjedhjet u kritikuan për legjitimitet të ulët por megjithëkëtë u njohën nga ndërkombëtarët.

Kërkesa e tyre e vetme ishte që kryetarët e rinj të mos futeshin në objektet e komunave, ku nuk ishin të dëshiruar nga serbët. Në këtë mënyrë, kryetarët e rinj u betuan në objekte publike të komunave, përveç kryetarit të Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në zyrat komunale.

Por në kundërshtim me rekomandimet e aleatëve, Kosova vendosi që kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit të dërgoheshin në zyrat e tyre të shoqëruar nga policia.

Ky veprim nxiti tensione të larta dhe protesta të shumta. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, 25 ushtarë të së cilit u plagosën.

Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë