Politike

Zgjedhjet në Rrogozhinë më 23 korrik, Berisha nis fushatën: Kohë pushimesh, s’do jetë e lehtë, por mund ta fitojmë  

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve caktoi datën e zgjedhjeve vendore që do të rimbahen në Rrogozhinë për kryetarin e bashkisë.

Zgjedhjet e Rrogozhinës do të mbahen më 23 Korrik.

Emrat në garë nuk do të ndryshojnë si me 14 maj. Edison Memollaj kandidat i PS-së dhe Shkëlqim Hoxha  kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë.

Zgjedhjet po ripërsëriten pas kërkesës ankimore të koalicionit opozitar, i cili ka kundërshtuar rezultatin e 14 majit.

Nga votimet e 14 majit, fitues rezultoi Edison Memollaj me 5129 vota, ndërsa Shkëlqim Hoxha mori 5108 vota.

KAS rinumëroi disa kuti votimi, rezultati u ngushtua, por nuk u përmbys. Ndërkohë, Berisha ka nisur fushatën i shoqëruar nga kandidati për Rrogozhinën, kryetari i bashkisë Kavajë dhe Ervin Salianji që sa duket do të jetë koordinatori i zgjedhjeve për PD-në në këtë bashki.

“Verë është. Njerëzit edhe largohen, por na përket që këto tri javë të bëjmë gjithçka. Çdo mundësi që kemi, çdo njohje, çdo lidhje në Rrogozhinë, në Kavajë dhe kudo që t’i kemi njerëzit tani, të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur fitoren që kërkon të na e marrë me arbitraritet dhe imoralitet Edi Rama dhe qeveria e tij.

Të kontrollojmë listat e votimit, kush votoi dhe sa nga njerëzit që njohim, që janë apo nuk janë në Rrogozhinë, dhe kudo që janë të qëmtojnë, t’i gjejmë dhe të bëjmë gjithçka për t’i sjellë atë ditë për të votuar për Shkëlqim Hoxhën dhe fitoren e tij.

Nuk është e lehtë, unë jam i vetëdijshëm, por është plotësisht e mundshme”, tha Berisha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë