Kosova

Zgjedhjet në Kosovë, të gjithë garojnë vetëm. Osmani në Listat e Vetëvendosjes

Partitë më të mëdha politike në Kosovë duket se i kanë lënë të gjitha koalicionet pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, duke garuar të vetme. Afati i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e koalicioneve e para-zgjedhore deri në orën 18:00 të pasdites së djeshme mbaroi në heshtje, pasi liderët politikë kanë vendosur të mos bëjnë asnjë marrëveshje politike pa parë votën e qytetarëve. Afati për deklarimin e koalicioneve, përfundoi me regjistrimin e vetëm dy koalicioneve nga partitë minoritare, boshnjakëve dhe serbëve.

Befasia më e madhe erdhi nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila pritej të regjistronte lëvizjen e saj si iniciativë qytetare pranë KQZ-së duke marrë kështu pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe në vend të kësaj Osmani duket se do të hyjë në listat e Lëvizjes Vetëvendosje, kundërshtaren e saj më të madhe në zgjedhjet e kaluara. Bashkimi i saj me partinë e majtë të ish-kryeministrit Albin Kurti është cilësuar nga shumë analistë si një shkrirje politike lëvizjes së saj.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani e bëri të qartë aleancën me Kurtin që kur foli zëshëm kundër manovrimit të partisë së saj dhe nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit për të votuar qeverinë Hoti. Osmani kishte propozuar një qeveri teknike të përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme.

Analisti Ramush Tahiri mendon se Osmani është e vetëdishme se rrezikon të humbasë identitetin brenda VV-së, por se koha e shkurtër në të cilën po mbahen zgjedhjet e bën të pamundur për ish-kandidaten për kryeministre të dalë me forcën e saj politike.

“Vjosa Osmani do të shkrihet në listën e VV-së. Do të garojë, por jo e vetme, për arsye se, në radhë të parë, nuk ka arritur të krijojë degë e nëndegë partiake. E dyta është një force të re politike dhe nga ana e KQZ-së nuk i lejohet që të ketë komisionerë për ruajtjen e votave. Të gjitha këto e kanë shtyrë Vjosa Osmanin që të garojë në listë me VV-në’, shprehet ai.

Një tjetër aleance e ngjashme është lidhur midis Behgjet Pacollit dhe Isa Mustafës, pasi Aleanca Kosova e Re do të ketë 10 kandidatë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse nuk ka zgjedhur të lidhë koalicion, LDK-ja ka vendosur të përfshijë në listat e saj edhe anëtarë të ty partive tjera: PSHDK-së dhe Ballit Kombëtar. Mustafa ka pranuar se është i hapur për të futur në listë deputetë nga partitë e tjera në listë, por jo të krijojë koalicion. LDK-ja pritet të finalizojë sot listën e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që listat e deputetëve të partive të tjera, mbetet të shihet deri të shtunën kur edhe përfundon afati për dorëzimin në KQZ

Një tjetër befasi erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është tronditur nga një varg dorëheqjesh, pasi refuzoi të ndiqte porosinë e fundit politike të kreut të saj Kadri Veselit dhe ish-presdidentit Hashim Thaçi për të lidhur një koalicion me Nismën e Fatmir Limajt.

Ashtu si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovën e Ramush Haradinaj edhe PDK-ja ka njoftuar të martën se nuk do të hyjë në koalicione parazgjedhore. Nisma e Fatmir Limajt është shprehur e gatshme të garonte bashkë me PDK-në, por kryetari në detyrë Enver Hoxhaj është shprehur kundër këtij koalicioni, duke thënë se aleancat me partitë tjera do ta dëmtonin PDK-në, ashtu si në vitin 2017.

“Gara e 14 shkurtit do të zhvillohet në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Është e kuptueshme që partitë e vogla, të cilat janë duke u shuar politikisht po luftojnë për mbijetesë”, thotë Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.

Isa Mustafa dhe Avdulla Hoti

Ky vendim çoi në dorëheqjen e nënkryetarit të PDK-së në Drenas, Bekim Muja i cili e cilësoi si një gafë politike vendimin e Hoxhajt për të shkuar i vetme në këto zgjedhje.

Por ashtu si PDK-ja, edhe Ramush Haradinaj, një tjetër figurë kyçe e politikës së Kosovës ka vendosur të kandidojë i vetëm, edhe pse nuk e përjashtuar një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve.

“AAK-ja është e vetëdijshme për atë që na pret pas zgjedhjeve. Sa i përket një qeverie AAK-Vetëvendosje mund të them se është e mundur. Varet nga vullneti i VV-së, ata e vlerësojnë a kanë nevojë apo jo, nëse i fitojnë zgjedhjet, por është e mundur”.

Haradinaj është treguar i hapur duke thënë se ka thënë që vijat e kuqe sipas tij, nuk i leverdisin asnjë partie politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë