Kosova

Zgjedhjet në Kosovë, një test për Albin Kurtin dhe gjithë të tjerët

Kosova voton për të zgjedhur drejtuesit e rinj të pushtetit vendor. Por, më shumë se emrat që do të fitojnë në këto zgjedhje, rezultati do të jetë një test për të gjithë klasën politike. Ky është procesi i parë zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin në pushtet.

Për këtë arsye rezultati është një test për Kurtin dhe qeverisen e tij, por gjithashtu është test edhe për Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin, përkatësisht kryetarët e rinj të LDK-së dhe PDK-së, që janë dy partitë kryesore opozitare.

Albin Kurti e mori qeverinë i vetëm në shkurt të këtij viti, pas dështimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai fitoi rreth 50 për qind të votave, duke shfrytëzuar edhe mungesën e ish-udhëheqësve të luftës që u thirrën në Hagë ku po përballen me akuzat për krime lufte.

Zgjedhjet janë një test për qeverisjen e Kurtit, e shoqëruar me kritika në lidhje me politikën e jashtme dhe përballimin e pandemisë. Sa i takon politikës së jashte, qeveria “Kurti” është kritikuar për qëndrimin në dialogun me Serbinë dhe vendosjen në rrezik të marrëdhënieve me SHBA përmes anulimit të projektit për gazsjellësin nga Maqedonia e Veriut dhe për qëndrimin kundër nismës së Ballkanit të Hapur, mbështetur nga Rama, Vuçiç dhe Zaev.

Sa i takon pandemisë qeveria e tij është kritikuar për paaftësi në sigurimin e vaksinave dhe vonesave në marrjen e masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Në politikën e brendshme, qeveria “Kurti” është kritikuar për mosmbajtjen e premtimeve për të luftuar korrupsionin, për punësime nepotike në administratë dhe dështim në menaxhimin e pasojave ekonomike e sociale të shkaktuara nga pandemia e Covid.

Në testim është edhe Lumir Abdixhiku, njeriu që mori drejtimin e LDK-së pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga rezultati zhgënjyes i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Misioni i Abdixhikut është rikthimi i rreth 200 mijë votuesve që në 14 shkurt mbështetën Vjosa Osmanin, e larguar nga LDK pas përplasjes me Mustafën.

PDK do të testohet nën udhëheqjen e re të Memli Krasniqit. Ish-reperi i shndërruar në politikan, që karrierën e nisi si ministër Kulture njihet si një nga njerëzit më të afërt të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ai u zgjodh kryetar pas tërheqjes nga gara të Enver Hoxhajt dhe Vlora Çitakut.

Zgjedhjet janë një test edhe për Ramush Haradinajn për të parë nëse nga boshllëku i krijuar nga LDK e PDK do të rrisë elektoratin e vet, apo do të vijojë të ruajë atë pakicë stabël që ka prej kohësh.

Prandaj, lufta e vërtetë në këtë zgjedhje do të zhvillohet vetëm për Prishtinën, ku në garë duket se Arben Vitia i Vetëvendosjes përballë Perparim Rames se LDK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë