Kosova

Zgjedhjet e Serbisë / Hovenier: Kosova i përcakton vetë kushtet për votimet e shteteve të tjera në territorin e saj

Nga Gazeta 'Si'-Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-të nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ai u shpreh se Kosova – si shtet i pavarur dhe sovran, ka të drejtë vetë të përcaktojë kushtet për zgjedhjet e shteteve të tjera që mbahen në territorin e saj.

”Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që kur kjo çështje u ngrit për herë të parë në vitin 2022. Ne vazhdojmë të shprehim zhgënjimin tonë që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos vazhdojë praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.

SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike. Pra, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj", u shpreh ai.

Më herët Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse, siç u shpreh ai, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t'i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”

Më 19 nëntor, Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë