Kombetarja

Zgjedhjet e Panuçit, një Shqipëri ekspertësh në fushë

Nga Fatjon Rupi - Eksperimentet kanë përfunduar, siç e tha vetë trajneri Kristian Panuçi kur prezantoi listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Italiani e di shumë mirë se tani ka rëndësi rezultati dhe qëllimi i tij kryesor është që në ndeshjen me Izraelin të prezantohet në fushë me një skuadër sa më pragmatiste, duke pranuar edhe lojën e shëmtuar për hir të pikëve maksimale. 90-minutëshi në stadiumin “Elbasan Arena” në fakt është një “thikë më dy presa” për anën taktike, sepse për të fituar duhet sulmuar, ndërkohë që duhet kujdes i madh prapa për të mos pësuar, pasi nëse Izraeli shënon i pari, për Kombëtaren bëhet një malore e fortë jo vetëm kjo ndeshje, por edhe ato që vijnë më pas. Trajneri Panuçi e di mirë rëndësinë e ndeshjes me Izraelin, ndaj dhe ka grumbulluar lojtarët më ekspertë, që pritet t’i hedhë në fushë nga minuta e parë.

Skema e lojës do të jetë ajo e përhershmja, 4-3-3, e aplikuar nga ish-trajneri De Biazi, i cili po mundohet ta ndihmojë aktualisht patriotin e tij, duke i qëndruar pranë. Një skemë që në varësi të situatave të lojës kalon në 4-5-1 dhe që bazohet kryesisht në lojtarë mbrojtës, edhe pse Panuçi është më guximtar se De Biazi dhe kërkon një ekip më sulmues. Për portën trajneri i kuqezinjve ka thënë se është mjaft komod në zgjedhje, sepse si Berisha edhe Strakosha, kanë nivelin e duhur për të mbrojtur kuadratin. Ndoshta “peshorja” e Panuçit anon pak nga Berisha, i cili ka më shumë përvojë në portën e Kombëtares.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Izraelit

Në mbrojtje situata është e qartë: Elseid Hysaj do të jetë në krah të djathtë, Berat Gjimshiti dhe Mërgim Mavraj në qendër dhe kapiteni Ansi Agolli në të majtë. Gjimshiti është i vetmi qendërmbrojtës që po luan me ekipin me ekipin tij, Atalantën, kështu që është i sigurt në formacion. Partneri i tij pritet të jetë Mavraj, që sipas trajnerit Panuçi ka punuar me një program special stërvitor dhe do të luajë një nga dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Ajeti nuk është grumbulluar, pasi është pa ekip, Veseli ka qëndruar në stol me Empolin dhe Mihaj e Prenga nuk kanë përvojë për të përballuar ndeshje të tilla. Në të majtë kthehet veterani Agolli, sepse duhet siguri. Alternativa janë Egzon Binaku dhe Demiri, të dy të grumbulluar për herë të parë në Kombëtare, duke zëvendësuar Alijin dhe Lenjanin.

Trajneri i kuqezinjve, Kristian Panuçi

Në mesfushë janë të sigurt dy “senatorët” Migjen Basha dhe Taulant Xhaka. Përvoja e tyre është e domosdoshme, ndërkohë që ka një balotazh për mesfushorin e tretë. Mund të jetë njëri mes Sabien Lilajt dhe Ledjan Memushajt. I pari ka më shumë minuta në këmbë, kurse vlonjati është një ekzekutues i mirë i goditjeve standarde dhe mund të ketë një avantazh të lehtë. Alternativë është edhe Emanuele Ndoj, por lojtari i Breshias nuk është ende një “ekspert” dhe pritet të qëndrojë në stol. Kamer Qaka nuk është grumbulluar, ndërsa Ylber Ramadani është pjesë e Kombëtares U-21, ashtu si Kristal Abazaj.

Kombëtarja në stërvitje

Në sulm zgjedhjet duken të diktuara nga vetë lista e trajnerit italian, i cili ka humbur Armando Sadikun për shkak dëmtimi dhe ka lënë jashtë Sokol Cikalleshin. Alternativa e parë për qendrën e sulmit është Bekim Balaj, kurse alternativat janë Guri dhe Manaj. Për krahët e sulmit, pas dëmtimit të Roshit, i cili është mungesa e madhe në Kombëtare, janë gati i rikthyeri Jahmir Hyka dhe Eros Grezda. Ky i fundit sapo ka firmosur për Gllasgou Rejnxhërs në Skoci dhe vjen nga një periudhë e gjatë pa luajtur për shkak dëmtimi, por në Kombëtare ai sakrifikon gjithçka dhe me siguri do të jetë titullar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë