Politike

Zgjedhjet e 25 prillit, 65 vëzhgues të OSBE mbërrijnë në Tiranë javën e ardhshme

Javën e ardhshme do të mbërrijnë në Shqipëri rreth 65 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e 25 Prillit. Ata do të punojnë me kolegët e zyrës së OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Shefi i delegacionit të Azerbajxhanit dhe zëvendëspresident i OSBE-së, Azay Guliyev, do të shërbejë si koordinator special dhe udhëheqës i misionit vëzhgues të OSBE-së, pas emërimit nga kryetari i përgjithshëm i OSBE-së, Ann Linde.

“Mezi po presim të punojmë me partnerët tanë të hershëm, Zyrën e OSBE-së, për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut dhe asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës dhe të japim kontributin tonë në shoqërimin e rrugës demokratike të Shqipërisë, - tha Guliyev. - Këto zgjedhje janë një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë për të demonstruar angazhimin e saj për zhvillimin demokratik dhe reformën”.

Presidenti Lord Peter Bowness ka emëruar Reinhold Lopatkën kryetar të komitetit të përkohshëm kundër terrorizmit dhe përfaqësues special për Azinë Qendrore, që të udhëheqë delegacionin vëzhgues të OSBE-së.
“Do doja të falënderoja të gjithë kolegët e mi vëzhgues për përkushtimin e tyre dhe gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur ftesës së Shqipërisë për të vëzhguar këto zgjedhje të rëndësishme, - u shpreh Lopatka. - Vëzhguesit tanë do të ndjekin të gjitha udhëzimet përkatëse dhe do të marrin të gjitha masat paraprake për të siguruar sigurinë tonë, si dhe sigurinë e njerëzve që takojmë.”

Vëzhguesit do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë fushatës, kornizës ligjore, administrimit të zgjedhjeve, procedurave të ditës së zgjedhjeve dhe mbulimit nga media. Ata do të dorëzojnë deklaratën paszgjedhore të konkluzioneve paraprake në një konferencë shtypi në Tiranë, më 26 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë