Ngjarje

Bujar Spahiu rizgjidhet në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar mes protestave dhe akuzave për ndërhyrje të gylenistëve

Kryetari aktual i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është rizgjedhur sot në krye të këtij institucioni, mes debatesh të nxehta që kanë nisur prej kohësh tashmë. Zgjedhjet në KMSH u zhvilluan sot, ndërkohë që një grup besimtarësh protestonin jashtë ndërtesës së Medresesë së Tiranës. Spahiu mori 82 vota nga 92 antarë të kryesisë që kanë votuar.

Një grup besimtarësh myslimanë që janë kundër drejtuesve aktualë të komuniteti Mysliman Shqiptar, kanë protestuar paralelisht me zgjedhjet.

Ata akuzojnë drejtuesit aktual si gylenist dhe pjesëtarë të grupit FETO në Turqi, si dhe i cilësojnë zgjedhjet si jo legjitime.

Zgjedhjet u organizuan pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i cili u zgjodh zgjedhur më 2 mars 2019. Kandidatë për t’u votuar ishin Bujar Spahiu, Kryetari aktual i institucionit, Eduard Shefki, Administrator i Myftinisë së Durrësit dhe Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit.

Prej ditësh tashmë ishte ndezur i nxehtë debati në disa xhami të vendit, madje janë shënuar edhe përplasje verbale mes besimtarëve dhe disa klerikëve myslimanë, të cilët janë akuzuar nga besimtarët se janë të vendosur në postet që mbajnë falë ndërhyrjes dhe mbështetjes se organizatës “Feto”.

Bujar Spahiu, Emirjon Vathaj dhe Eduard Shefki

Procedura e kësaj të shtune parashikonte prezantimin e platformave përkatëse përpara Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Zyrtarisht lufta kundër gylenistëve dhe organizatës “Feto” është kthyer sërish në qendër të diskutimeve mes marrëdhënieve Shqipëri-Turqi, nga vetë presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të spastrojë përfaqësuesit e kësaj organizate në Shqipëri.

Në mes të debatit, duket se peng ka mbetur edhe përfundimi i Xhamisë së Madhe të Namazgjasë, një investim turk ky prej të paktën 30 milionë eurosh që duhet të kishte përfunduar që në 2018-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë