Futboll

Zëvendësuesi i Ronaldos te Real Madrid do të jetë një sulmues serb

Një nga problemet më të mëdha të Realit të Madridt në sezonin sapo u mbyll ishte goli. Shumë pak gola të shënuar nga madrilenët që në sezonin 2019-20 do duhet t’i rregullojnë me çdo kusht raportet me portën dhe për këtë gjë nevojitet një sulmues kalibri.

Benzema do të vijojë të qëndrojë në Madrid, pasi me eksperiencën që zotëron ai mund të jetë i vlefshëm në ndeshje të caktuara, por rolin e titullarit mund t’i besohet një tjetër sulmuesi që do të zbarkojë në “Santiago Bernabeu” gjatë verës. Bëhet fjalë për sulmuesin serb të Eintrahtit të Frankfurtit, Luka Joviç. 21-vjeçari ishte më i miri i Eintrahtit këtë sezon dhe me golat e tij është dalluar në Ligën e Europës, duke e çuar ekipin gjerman deri në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.

Joviç ka një mesatare shënimi prej 0.8 gola për ndeshje. Një shifër e kënaqshme, por për nivelin e Real Madrid do duhet të rritet dhe mundësitë janë në fakt, pasi te “Los Blancos” niveli i asistuesve dhe mesfushorëve nuk mund të krahasohet me atë të Eintrahtit. Vlera e tij sot në treg është 50 milionë euro, aspak problem për një klub si Real Madrid, që në këtë verë pritet të bëjë një revolucion të ekipit aktual me shumë largime dhe afrime. Joviç shikohet si njeriu gol për sezonin e ardhshëm te Real Madrid në planin që Zidan po harton. Mbështetës në repart ai pritet të ketë francezin Benzema, ndërsa për Mariano Diaz projektohet një largim këtë verë, pasi rikthimi në “Bernabeu” nuk ishte shumë impresionues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë