Shendet

Zemra e njeriut përmban grimca të vogla plastike

Në një studim pilot, studiuesit arritën të zbulonin se në zemrat e njerëzve ka prani të grimcave të vogla të plastikës, që vërteton edhe një herë se plastika ndodhet kudo tashmë.

Në këtë studim, studiuesit përdorën imazhe infra të kuqe dhe mikroskop elektronik skanues për të studiuar mostrat e indeve të zemrës dhe gjakun e 15 pacientëve që i nënshtroheshin operacioneve kardiake.

Studiuesit gjetën nëntë lloje mikroplastike dhe dhjetëra deri në mijëra copa plastike në indet nga shumica e pjesëve të zemrës, sipas një njoftimi për shtyp. Megjithatë, sasitë dhe materialet ndryshonin.

Shkencëtarët kanë gjetur më parë mikroplastikë në ajër, ushqim, ujë, mushkëri, gjak dhe indet e tjera të trupit tonë. Megjithatë ka pasur prova të kufizuara të plastikës në zemër ose organe të tjera që janë të mbyllura nga mjedisi ynë i jashtëm.

Përveç gjetjes së mikroplastikës në zemër, studimi i ri tregoi se, në një farë mase, vetë operacioni i ekspozon pacientët ndaj këtyre grimcave. Studiuesit kërkuan më shumë kohë për të studiuar këtë fenomen dhe efektet e mikroplastikës në shëndetin e njeriut.

Pse mikroplastika në zemër është shqetësuese?

Deri më tani, studimet nuk kanë gjetur prova se mikroplastika në trup shkakton dëmtime. Megjithatë, kjo është një fushë kërkimi në zhvillim dhe shumë ekspertë kanë shqetësimet e tyre, pjesërisht sepse ka lloje plastike që përmbajnë kimikate toksike të njohura.

“Ka kaq shumë të panjohura, por ne po shohim më shumë të dhëna që sugjerojnë se mikroplastika ndikon në biologjinë njerëzore,” thotë Bernardo Lemos, profesor në Harvard.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i vitit 2022 bëri thirrje për më shumë kërkime, por edhe për reduktimin e plastikës në mjedis.

“Megjithëse të dhënat e kufizuara ofrojnë pak prova se mikroplastika dhe nanoplastika kanë efekte negative te njerëzit, ka një rritje të ndërgjegjësimit publik dhe një konsensus midis të gjithë aktorëve që plastika nuk i përket mjedisit dhe duhen marrë masa për të zbutur ekspozimin”, thuhet në raport.

Përveç shqetësimeve për shëndetin e njeriut, mikroplastika ka ndikime të tjera, duke përfshirë nivelet e kimikateve që bllokojnë nxehtësinë që po mbinxehin planetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë