Njerez

Zbulohet “vila e re” e Putinit, me piano dhe e blinduar si një bunker!

“Vila e Putinit” në Gelendzhik, në Detin e Zi, ekzistenca e të cilit ishte zbuluar nga disidenti rus, Aleksei Navalni në ditën e burgosjes së tij pas kthimit nga Gjermania, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes.

Këto ditë, kanë qarkulluar lajmet, se për ta ndërtuar atë, janë shpronësuar pronarët dhe është rrafshuar në tokë një vend kampingu për fëmijët në vështirësi.

Kremlini, gjithmonë ka mohuar që vila faraonike në Detin e Zi të jetë në pronësi të presidentit.

Megjithatë, ditët e fundit, një hetim nga e përditshmja popullore “Sobesednik”, tregon për një tjetër “vilë të Putinit”. 

Një shtëpi luksoze në malet e Krasnaya Polyana, në Kaukaz, jo shumë larg nga Sochi dhe disa hapa larg nga një “pallat tjetër luksoz të dimrit”, ku banon edhe ish-kryeministri, Dmitri Medvedev.

“Shtëpia” e re e Putinit

Shtëpia quhet “Achipse”, si lumi aty pranë; zyrtarisht (dhe në Google Maps), duket si një “shtëpi pritjeje” për mysafirët e shquar të kompanisë shtetërore të energjisë, Gazprom; dhe sipas “Sobesednik”, është ndërtuar në vitin 2011 nga e njëjta kompani, e cila kishte fituar një kontratë të pasur për ndërtimin e vendpushimit të skive Igora.

Gazprom, dyshohet se ka lidhje me kompaninë nga Shën Petersburgu, “Rosinzhiniring” dhe Svetlana Krivonogikh, e cila thuhet se ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Putinin (fëmija i saj Luiza Rosova, konsiderohet vajza e tretë, e paligjshme e presidentit). 

Mysafiri i “bujtinës”, sidoqoftë, është vetëm një dhe veçanërisht i rëndësishëm: hapësira ajrore mbi vilën “Achipse”, është e mbyllur për dronët dhe hyrja në pronë, lejohet vetëm për shërbimet federale të sigurisë. 

Shtëpia mund të arrihet vetëm me një teleferik prej 2.7 kilometra dhe me helikopter (ashtu si vila në Gelendzhik, Achipse ka helikopterin e vet privat) dhe përmes nëntokës, prona shtrihet në dy kate lartësi, e blinduar dhe e vendosur si një bunker. 

I gjithë kompleksi është i mbrojtur nga një sistem radar “Rohde & Schwarz”, i cili është gjithashtu i aftë të shkatërrojë pajisjet e vogla shpërthyese.

Sauna, pishinë dhe piano e Carit

Shtëpia është më e vogël se vila në Detin e Zi: “vetëm” 3,800 metra katrorë, krahasuar me 14 mijë të Gelendzhikut.

Por nuk ka mungesë të luksit. Gazetarët e “Sobesednik”, rindërtojnë brendësinë e vilës, duke filluar nga faturat, nga arkitektët, dizajnerët e brendshëm dhe furnizuesit (nuk ka as foto të jashtme, sepse hapësira ajrore mbi vilë është e ndaluar për dronët). 

Çati me pllaka gjermane të bëra me dorë; një sauna dykatëshe; pishinë pjesërisht e mbuluar prej 385 metrash katrorë; gjashtë ashensorë, helikopter, dysheme lisi nga 5 mijë euro për metër katror; një piano e madhe “Blüthner Nicolaus II”, 70,000 euro (riprodhimi i një modeli të krijuar për Perandorin Nicholas II); çarçafë nga “Frette”, sende argjendi me vlerë mijëra euro për copë (në të cilën shquhet një mbajtëse havjarësh një kile nga “Christofle”, me vlerë 1,300 euro). 

Në mure, ka riprodhime të sixhadeve italiane. Por kjo nuk është e gjitha.

Në shkurt, në kanalin “Telegram”, të faqes së gazetarisë hulumtuese “Proekt”, një listë shtëpish të ngjashme me këtë, qarkulloi e shpërndarë në të gjithë vendin dhe dyshohet se ajo është e destinuar për përdorimin ekskluziv të presidentit nga kompanitë shtetërore dhe jo-shtetërore: kishte njëzet e një prona (përfshirë Achipse dhe Gelendnikh).

Burimi

“Sobesednik”, e themeluar që nga viti 1984, është një e përditshme e njohur, e cila mburret, në faqen e saj të internetit, se është “e para me ngjyra”. 

Nuk shfaqet asnjëherë hapur si gazetë anti-qeveritare dhe as pro-qeveritare, por ajo është bashkuar me reporterin Vladimir Kara Murza, një kritik i hapur i Putinit dhe babain e opozitarit Vladimir Vladimiroviçh, i shtruar në spital disa herë me simptoma të helmimit.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë