Ka ndodhur

Zbulohet skema e mashtrimit me mallra ‘si ndihmë humanitare’

Administrata doganore ka goditur një skemë mashtrimi-kontrabandë, në importin e mallrave të natyrës tregtare, të importuara në territorin doganor shqiptar si ndihma humanitare.

Nga skema e ngritur, përfaqësuesi ligjor i subjektit me iniciale H.D., ka importuar dhe futur në territorin doganor shqiptar, sasinë prej  864 559 kg me artikuj të ndryshëm industrial, të cilat kapin vlerën prej 356.370 euro.

Vlera e detyrimeve doganore të shmangura për mallrat e përshkruar më lart, janë në shumën 34,506.839 lekë, ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve të shmangura është në shumën 207.041.034 lekë.

Në total, shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura, janë 241.547.874 lekë.

Materialet për rastin në fjalë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe asaj Durrës, për kryerjen e veprave penale  “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtari doganore”, “Kontrabandë me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtari kriminale”.

Një ditë më parë në Tiranë, 6 persona janë arrestuar me akuzën se kishin krijuar një rrjet postar të blerjes dhe shpërndarjes së mallrave të ndryshëm që dërgoheshin kontrabandë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë operacionit të koduar me emrin “Fast Delivery”, policia ka sekuestruar edhe artikuj të ndryshëm të mbërritur me postë në Shqipëri me vlerë mbi një milion euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë