Ka ndodhur

Skemë kontrabande me shitjet ‘online’ në Ballkan, si bëheshin porositë pa faturë. Sekuestrohet 1 mln euro mall

Në Tiranë, 6 persona janë arrestuar me akuzën se kishin krijuar një rrjet postar të blerjes dhe shpërndarjes së mallrave të ndryshëm që dërgoheshin kontrabandë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë operacionit të koduar me emrin “Fast Delivery”, policia ka sekuestruar edhe artikuj të ndryshëm të mbërritur me postë në Shqipëri me vlerë mbi një milion euro.

Hetimet zbuluan këta shtetas i dorëzonin porositë të pashoqëruara me faturë dhe punonin përmes faqeve të ndryshme në Facebook dhe Instagram, ku merrnin porositë, ndërkohë që bizneset e tyre kanë rezultuar të paregjistruara.

Dysohet se ata kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet.

Kjo skemë, sipas policisë, i ka shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik të konsiderueshëm përmes shmangies së detyrimeve doganore.

Policia ka sekuestruar 6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore.

Mes sendeve të sekuestruara janë edhe 300 lloje të ndryshme produktesh industriale si veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro.

Hetimet e prokurorisë po shtrihen edhe në subjekte të tjera të cilët funksiononin në të njëjtën mënyrë si 6 personat e arrestuar ndërkohë që nën hetim janë edhe disa faqe online që merren me shitjen e mallrave të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë