Ka ndodhur

Zbulohet sera me kanabis brenda një stani në Lezhë, arrestohet vëllai i deputetit socialist dhe kunati i tij (Video)

Gazeta Si - Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca është arrestuar në Lezhë pas një operacioni anti-drogë, ku u zbulua një serë me kanabis në pyjet e fshatit Kashnjet.

Bashkë me Armando Ndrecën, 32 vjeç, është arrestuar edhe kunati i tij, si dhe një person i tretë, Armel Nikdukaj, 27 vjeç dhe Elvis Shpellzai, 28 vjeç.

Policia thotë se kanabisi u gjet në një stan të përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Nga ky ambient, policia ka sekuestruar 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike kanabis, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë. Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.

"Gjatë operacionit, në pyjet e fshatit Kashnjet, u zbulua një ambient (stan) i përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A.N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale", - thuhet në njoftimin për mediat të policisë.

Eduart Ndreca është deputet i Partisë Socialiste të Qarkut Lezhë, pasi fitoi mandatin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. I lindur në Lezhë, para se të zgjidhej deputet, ai ka qenë edhe kryetari i Partisë Socialiste të Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë