Shendet

Zbulohen raste të gripit të shpendëve, Brazili shpall emergjencë 6-mujore

Brazili ka shpallur emergjencë 6-mujore përsa i përket shëndetit të kafshëve pasi janë gjetur disa raste të gripit të shpendëve tek shpendët e egër. Shtatë raste janë shfaqur në Espirito Santo, ndërkohë një tjetër është zbuluar në Rio de Zhaneiro.

Gjetja e një rasti në një fermë bën që të asgjësohen një numër i madh zogjsh dhe kjo mund të nxisë kufizime tregtare.

Urgjenca shëndetësore është shpallur në të gjithë vendin për 180 ditët e ardhshme si masë paraprake. Shpallja e emergjencës e bën më të lehtë që të merren masa nga ana e qeverisë për të ndaluar përhapjen e virusit shumë infektiv H5N1.

Brazili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të pulës, me shitje vjetore të përllogaritur rreth 10 miliardë Dollarë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se përhapja e mëtejshme e virusit H5N1 do të duhet të monitorohet nga afër për të parë nëse ai ndryshon në një formë që mund të përhapet te njerëzit. Raste të tilla që mund të shfaqen, janë rezultat i kontaktit të ngushtë të njerëzve me zogj të infektuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë