Kombetarja

Cilat klube interesohen për Jasir Asanin, ‘zbulimin’ kuqezi të Euro 2024

Jasir Asani është një nga zbulimet e këtij edicioni eliminatoresh të Kombëtares shqiptare. Grumbullimi i tij në Kombëtare nuk ka kaluar thjesht me pjesëmarrje, apo me disa paraqitje të mira, por edhe me gola shumë të rëndësishëm përveçse spektakolarë.

Pasi është aktivizuar me ekipet e moshave të Maqedonisë së Veriut U-20 dhe U-21, ish-lojtari i Partizanit në ato vite, në 2016-ën për herë të parë veshi fanellën kuqezi. Ishte Redi Jupi ai që e mori, kur drejtonte ekipin Shpresa dhe që atëherë u desh të kalonin 7 vite të tjera që shqiptari i Maqedonisë së Veriut të grumbullohej nga trajneri Silvinjo, pavarësisht faktit që ai aktivizohej në Korenë e Jugut, shumë larg dhe në një kampionat jo të një niveli të lartë.

Jasir Asani feston golin ndaj Polonisë. Gazeta Si, 21 dhjetor 2023

Megjithatë, një skuadër futbolli është e përbërë në formën e një puzzle, siç e përmend vetë trajneri brazilian. I mungonte një majtosh, sigurisht me aftësi të mira teknike dhe atë shkoi e gjeti atje larg në Azi, edhe pse emri i tij nuk ishte i panjohur, madje figuronte në listën prej rreth 50-60 lojtarësh që ishin vëzhguar edhe nga ish-trajneri Edoardo Reja, pavarësisht se nuk e grumbulloi asnjëherë.

9 ndeshje të luajtura dhe 3 gola shumë të rëndësishëm, ai ndaj Moldavisë në Tiranë, ndaj Polonisë në Tiranë dhe ndaj Çekisë, gjithashtu në ‘Air Albania’ të kryeqytetit tonë.
Sot Jasir Asani, një nga personazhet “kopertinë“ të rrjeteve sociale të UEFA-s me golat e tij spektakolarë, është një ndër lojtarët më të kërkuar të Kombëtares shqiptare.

Premier Liga, një shans i djegur nga fati!
Gazeta Si ka zbuluar ekskluzivisht disa prej skaudrave që janë vënë në kontakt me menaxherin e Asanit dhe emrat janë impresionues, pavarësisht se lojtari ka edhe disa kërkesa të tij, kjo për shkak të moshës jo shumë të re dhe padyshim të financave.

Megjithatë, fakti që luan në Korenë e Jugut, një ndër vendet më të zhvilluara në botë për teknologjinë, por jo për futbollin, i ka hequr mesfushorit shqiptarë shansin për të luajtur në Premier Ligë. Sipas vetë atij, për të qenë pjesë e klubeve si Brentford apo Aston Villa, kërkohet një koeafiçient kampionati për t’u prezantuar, gjë që Superliga e Koresë nuk e ka në nivelin e duhur dhe pikët që vetë lojtari ka si pjesë e një përfaqësueseje europiane, nuk mjaftojnë.

Jasir Asani feston golin ndaj Moldavisë. Gazeta Si, 21 dhjetor 2023

Bundesliga një mundësi e artë, por që kërkon durim
Kontaktet e menaxherit të tij kanë qenë nga skuadra si Shtutgarti apo Borussia e Dortmundit. Kjo e fundit në opsionin e paraqitur e ka konsideruar si një zgjedhje të dytë, për të cilin lojtari, pavarësisht dëshirës për të qenë një skuadër aq të madhe, nuk mund ta konsiderojë për të qëndruar në stol. E njëjta gjë vlen edhe për Shtutgartin, një prej ekipeve në garë për zonën Champions në këtë edicion.

Franca, një sfidë që duhet konsideruar
Një tjetër opsion për të ka qenë Lioni. Një ndër skuadrat më të mëdha të kampionatit francez, pavarësisht se në këtë edicion ndodhet në vendin e 15-të, shumë larg pritshmërive. Nisur nga kjo krizë, sulmuesi kuqezi është kërkuar për të shtuar më tepër cilësi dhe për t’i dhënë një forcë ringritje pjesës së dytë të kampionatit.

La Liga spektakolare, por paratë mbeten pika e diskutimit
Në kampionatin spanjoll kanë qenë dy ekipet, të cilat kanë filluar bisedimet dhe kanë shprehur interesin për mesfushorin kuqezi. Bëhet fjalë për Las Palmas dhe Selta Vigo. E para është një skuadër e mesit të tabelës dhe që ka si objektiv qëndrimin pikërisht aty, por gjithësesi vlerësimi financiar i bërë me sa duket nuk është në pritshmëritë e futbollistit dhe menaxherit, ndërkohë që Selta Vigo, skuadra e cila kërkoi pak kohë më parë edhe Ernest Muçin, tashmë sheh shpresë, duke qenë se ndodhet në zonën e kuqe të tabelës, te një tjetër lojtar i kombëtares sonë si Jasir Asani.

Patjetër që dëshira e tij është që të kthehet në Europë dhe për të qenë sa më pranë familjes dhe për shumë arsye të tjera që lidhen me nivelet e kampionateve. Por, siç përmend vetë Jasiri, ai sot është 28 vjeç dhe vitin tjetrë mbush 29 në muajin maj, kështu që kontrata e re duhet menduar mirë, për karrierën por edhe për financat, pasi ai është edhe nën radarët e Ulsanit, skuadrës kampione të Koresë e cila premton jo pak, por 1.7 milion euro në vit për të, për 3 vite kontratë.

Shumë para dhe shumë zhurmë, por ajo që është e sigurt është që Jasir Asani nga janari do të jetë në një tjetër skuadër, ndoshta në Europë, sepse elementë të tillë klubet kërkojnë t’i marrin përpara finaleve të Europianit për të evituar kapërcimin e çmimeve, në rast të një paraqitjeje apo suksesi të mëtejshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë