Numri i të prekurve me koronavirusi në Shqipëri ka mbërritur në gjashtë, Ministria e Shëndetëssë njofton se janë zbuluar edhe 4 raste të reja me COVID-19,tre prej tyre në familjen e 2 rasteve të djeshme.
Sipas njoftimit zyrtar, të hënën janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 28 vjecarin që u konfirmua mbrëmjen e djeshme.
“Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore”, thotë ministria duke theksuar se gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta.
Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.
Ai raportohet se po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta. Sipas ministrisë, deri më tani janë testuar 77 raste.
Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127.
28-vjeçari, i infektuari i parë me koronavirus në vendin tonë, u kthye nga Italia më 26 shkurt, por simptomat e para i ka shfaqur që më datë 5 mars, ndërsa mostra për të bërë analizën i është marrë mëngjesin e 8 marsit, kur ai ka telefonuar 127-ën.
I riu me inicialet P.K, aktualisht konsiderohet pacienti zero, që është prekur në Itali nga koronavirusi edhe pse ka qëndruar disa ditë në Firence, një qytet jo në hartën e zonës së kuqe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




