Trashëgimi

Zbulim i ri arkeologjik në Durrës, gjendet skulptura e Artemisës në bronz

Nga Gazeta Si - Një zbulim i ri arkeologjik është bërë në Durrës, në sajë të gërmimeve arkeologjike shqiptaro-franceze në Durrës që po realizohen në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçias.

Në përfundim të punimeve është zbuluar nga gërmimet te Forumi Bizantin një skulpturë e Artemisës rreth 12 cm e gjatë dhe skulptura është në bronz.

Akademia e Studimeve Albanologjike shprehet  se nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake.

“U arrit të gërmohet një banesë e shek. 2 e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Si pasojë e zjarrit banorët janë larguar me shpejtësi, duke mundur të marrin vetëm objektet më të rëndësishme. Për rrjedhojë, shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Këtë vit u arrit të gjenden objekte të ndryshme, mes të cilave bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje”, shkruan Akademia Albanologjike në rrjetin social “Facebook”.

Akademia Albanologjike vijon më tej se “duke qenë se objekti ka nevojë të pastrohet e konservohet nga specialistët për momentin nuk mund të identifikohet me saktësi. Mund të themi se kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (Artemis? Lar/Lares?), pjesë e faltores së banesës së shek. 2 e.s. Po në këtë nivel në vitin 2019 u zbulua një skulpturëz mermeri e një fëmije”.

Objekti u gjet në një banesë të datuar si e shekullit të dytë pas Lindjes së Krishtit, që sikurse një tjetër e një shekulli më vonë po në zonën e Forumit Bizantin i bëjnë arkeologët të dyshojnë se Durrësi u dogj gjatë periudhës Romake.

Akademia e Studimeve Albanologjike vijon më tej se qëllimi i kësaj fushate gërmimesh mbi topografinë e Epidamne-Dyrrahionit, mbetet zbulimi i fazave më të hershme të përdorimit të territorit në këto dy pika të rëndësishme të qytetit si Forumi Bizantin dhe Kisha Katolike e Shën Luçias.

Forumi Bizantin ka qenë qendra romake bizantine e qytetit të vjetër, i cili quhej Dyrrah. Ai zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine dhe i përket shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit. Në qendër të Forumit Bizantin ka një podium dhe pus, mbi një shtroje pllakash mermeri që mbulojnë dyshemenë. I zbukuruar me kolona e me pllaka të mëdha prej mermeri, paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një sheshi që kryente kryesisht funksionin e një tregu. Forumi është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Për shkak të vlerave kulturore që përmban Forumi Bizantin, ka hyrë thuajse në të gjitha guidat turistike të vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë