Kosova

Zbatimi i Ohrit, BE njofton ngritjen e komitetit të monitorimit të paktit Kurti-Vuçiç

Gazeta Si - Bashkimi Europian, si ndërmjetësues i dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, njoftoi se ka krijuar sot një komitet të përbashkët monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të dialogut në Ohër, Maqedonia e Veriut, siç përcaktohet në aneksin e zbatimit.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian. Gazeta Si, 18 prill 2023

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri të ditur se komiteti i përbashkët i monitorimit do të kryesohet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviç.

Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të komitetit, që do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë, i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.

Pikërisht pritet që të ritakohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në aneksin e miratuar parimisht në Ohër parashikohet ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që ende nuk është finalizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë