Lajme

Zbardhet vendimi, argumentet që rrëzuan burgun përjetë të Dajtit

Pesë gjyqtarët e deleguar si gjyqtarë të Apelit për Krimet e Rënda, kanë zbardhur vendimin për Dritan Dajtin dhe e kanë dorëzuar atë pranë Apelit të Krimeve tëë Rënda pikërisht ditën e fundit kur skadonte dhe afati 30 ditor.

Në vendim arsyetohet se përse u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe për rrjedhim zbritja e dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.

Gjykata e Apelit thotë në vendimin e zbardhur prej 269 faqesh, se rrëzimi nga shkalla e parë e kërkesës së Dajtit, për ritin e gjykimit të shkurtuar, është i pambështetur në ligj dhe në prova dhe si e tillë, ajo i rivendoset si e drejtë nga shkalla e dytë.

Si standart, Gjykata e Apelit sjell jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe madje edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në vijim, vendimi thotë se Dritan Dajti duhet të vuajë dënimin me 25 vite burg në një institucion penitenciar të sigurisë së lartë.

Mes të tjerash, Gjykata ka rrëzuar pretendimin e Dajtit nga efektivë policie të paidentifikuar. Sipas gjykatës, kjo kërkesë është e pabazuar, pasi sipas saj, i ndjeri Fatos Xhani, ka thirrur ndal policia dhe kjo vërtetohet nga dëshmitë.

Ndërkohë, gjykata evidenton si problematike në këtë operacion, përfshirjen e njësive speciale që nuk kishte në fokus arrestimin e personave të rrezikshëm.

“Nuk u arrit të qartësohet, – thuhet më tej, – se përse vëzhgimi dhe përgjimi u shndërrua brenda pak çastesh në një aksion për kapjen e Dritan Dajtit”.

Madje sipas vendimit të zbardhur, gjykata i bie ndesh edhe dëshmive të policëve që kanë treguar se janë të instruktuar, pasi sipas gjykatës, ndryshimi i beftë i aksionit, i  ka gjetur të papërgatitur.

Përdorimi i një arme të paidentifikuar në aksion, thuhet më tej, e bëri të pamundur të gjendet se kush e ka përdorur këtë armë me të cilën u plagos Dritan Dajti.

“Punonjësit e policisë, nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë minimale, – thotë gjykata, – për të mbrojtur jetën e tyre”. Megjithatë, kjo gjë nuk e legjitimonte Dritan Dajtin që të qëllonte drejt tyre, – shpjegohet më tej.

Pak më shumë se një muaj më parë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në Durrës në 7 gusht 2009.

Ndërkohë, një ditë më pas, kryetari i Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha publikoi vendimin se cili nga pesë anëtarët firmosi pro dhe kundër rrëzimit të vendimit me burg përjetë të Dajtit.

Sipas vendimit të publikuar, ai ka firmosur pjesërisht kundër bashkë me Lindita Hoxhën. Pra përveç kryetarit Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, të cilët kanë qenë pjesërisht kundër, gjyqtarët e tjerë; Aleks Nikolli, Petrit Aliaj e Skënder Damini kanë rrëzuar vedimin për burgim të përjetshëm pa rezerva. Tashmë Prokuroria për Krimet e Rënda, ka 15 ditë kohë për të dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë