Sociale

Probleme nga reshjet e borës në pranverë, rihapet qarkullimi në Rrugën e Arbrit

Gazeta Si - Pranvera duket se ka sjellë surpriza të papritura për motin, ku temperaturat kanë shënuar vlera negative në disa zona të vendit tonë.

Si pasojë e reshjeve në orët e para të mëngjesit, u bllokua përkohësisht aksi i rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë. 

Automjetet devijuan nga rruga e vjetër e Burrelit. Pas disa orësh, aksi është liruar dhe ka vijuar normalisht pa asnjë problem. Prej orëve të para të mëngjesit u bllokua përkohësisht për shkak të reshjeve të dëborës. 

Gjithashtu policia apelon shoferët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të moderojnë shpejtësinë në rrugë. “Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112”, njofton policia.

Po ashtu, reshje bore raportohen se ka pasur edhe në zonat malore të qarkut Shkodër, kryesisht në Theth, ku duhet përdorimi i zinxhirëve në goma për automjetet.

Ndërkaq, reshje dhe prezencë bore raportohet edhe në Mokërr të Pogradecit, si dhe në minierat e Martaneshit dhe të Bulqizës, ku kërkohet përdorim i zinxhirëve për automjetet që transportojnë minatorët.

Në zonat malore të Shkodrës, në Theth, Lepushë e Kelmend, trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra, ndërkohë që borëpastrueset kanë filluar punën për zhbllokimin e rrugëve.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike natën e kaluar ka shkaktuar probleme edhe në lëvizjen e trageteve nga Durrësi drejt portit italian të Barit.

Për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë dy tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nisën në orar natën e kaluar nga porti më i madh i vendit.

Njëri prej trageteve është nisur pas orës 02.00 të mëngjesit të sotëm dhe trageti tjetër rreth orës 06.40. Ndërkohë nuk ka pasur probleme në mbërritjen e dy trageteve nga Bari në Durrës këtë mëngjes.

Situata detare dikton dhe pezullimin e përkohshëm të daljes në det të anijeve të peshkimit


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë