Futboll

Zakaria te Çelsi dhe Draksler te Benfika, të gjitha lëvizjet e orës së fundit

Gazeta Si – Merkato deri në sekondën e fundit. Jo pak lëvizje janë bërë deri në rënien e gongut për mbylljen e merkatos europiane të futbollit. Disa prej të cilave, të papritura. Premier Liga është për rekord, me 1.9 miliardë euro të shpenzuara.

Interi ka zyrtarizuar mbrojtësin Açerbi, pasi ka bindur presidentin Zhang dhe pavarësisht protestës së tifozëve zikaltër. Inzagi ka tashmë të plotësuar edhe prapavijën.

Nga Juventusi, pas Artur, është larguar edhe Zakaria, i cili ka kaluar te Çelsi. Kjo ishte edhe një nga goditjet më të befasishme të merkatos. Mesfushori kalon në huazim, me të drejtë blerjeje nga londinezët.

Lidsi ka marrë italianin Gnonto nga Zyrihu për rreth 4.5 milionë euro. Futbollisti ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin anglez.

Markos Alonso, anësori spanjoll i Çelsit, është transferuar te Barcelona si pjesë e shkëmbimit me Aubamejang. Te Barcelona është kthyer ndërkohë mbrojtësi i krahut, Hektor Belerin.

Kistiano Ronaldo ka qëndruar përfundimisht te Mançester Junajtid. Ai ishte i grumbulluar nga trajneri ten Hag për ndeshjen me Leiçesterin, duke u dhënë fund spekulimeve për të ardhmen.

Një lëvizje e papritur është edhe kalimi i Julian Draksler te Benfika në Portugali. Gjermani ka lënë PSG-në dhe ka kaluar te portugezët në huazim për 2.5 milionë euro.

Shkriniar do të qëndrojë tek Interi. Edhe PSG është dorëzuar në fund, sipas ‘LEquipe’, por sulmi i klubit francez mund të vazhdojë në janar.

Kluivert ka kaluar nga Roma te Valencia. Sulmuesi kalon në huazim falas, me shpresën që klubi italian të arkëtojë diçka në fund të sezonit nga bonuset. Nëse Valencia vendos ta blejë, duhet të paguajë 15 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë