Politike

Zaev merr mandatin për qeverinë e re, partitë shqiptare refuzojnë ftesën e BDI për takim

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mandatuar kreun e LSDM-së,  Zoran Zaev që të formojë qeverinë e re.

Pas mandatimit, Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut do të sigurojë një qeveri për rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Programi qeveritar do të jetë në pjesë më të madhe i dedikuar në ekonomi, në rritjen e pagave dhe pensioneve, në investime në të rinjtë, në rritje dhe zhvillim, në kujdes për më të varfrit, në mbështetje të biznesit në vend. Do të udhëheq një qeveri e cila nuk del për devijim nga rruga dhe e cila pas anëtarësimit në NATO, vazhdon drejt anëtarësimit në BE”, tha Zaev.

Duke nisur nga sot, Kreu i LSDM-së brenda 20 ditëve do të duhet të sigurojë shumicën parlamentare prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, i pyetur për bisedimet me LSDM-në dhe për çështjen e kryeministrit shqiptar, kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se partia që ai drejton  nuk do të veprojë me eufori dhe folklorizëm.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është faktor stabiliteti në vend dhe për derisa është i vetëdijshëm për misionin për zhvillimet, BDI nuk do të veprojë as me eufori as me folklorizëm e as me presione nga rruga, por do të zgjedhë rrugën e duhur, me qëllimin sa ma të mirë që do ti shërbejnë vendit”, tha ai.


Ahmeti i bëri këto komente pas dështimit të ftesës së tij për të mbledhur në një takim partitë politike shqiptare.

Asnjëri nga drejtuesit e partive nuk u paraqit në orarin e paracaktuar.

Krerët e partive Ziadin Sela, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami kërkuan më pak fjalë, rend të qartë të diskutimit dhe mandej një takim me Ahmetin duke nisur nga e hëna tjetër.

“Desha të dëgjoj mendimet e tyre se si ta bëjmë politikën me të shëndoshë, si te jemi më të fortë e të bashkuar qe të jemi me të suksesshëm”, reagoi Ahmeti gjatë një takimi me gazetarët.

Bisedimet mes LSDM dhe BDI kanë mbetur te çështja e Kryeministrit. Ali Ahmeti kërkon qe 1 vit kryeministri të jetë shqiptar dhe 3 vite maqedonas. Pavarësish nëse do të jetë në fillim apo në fund të mandatit 4 vjeçar, BDI propozon edhe rotacion në krye të parlamentit. Kreu i tij të jetë shqiptar kur kryeministri është maqedonas dhe anasjelltas.

,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë