Futboll

Ylli italian, në dorë të agjentit tetovar Fali Ramadani

Gjithmonë e më tepër emri i tetovarit Fali Ramadani po lakohet në tregun europian të futbollistëve. Agjenti i njohur për lidhjet e forta me tregun e lindjes apo vendet e ish-Jugosllavisë, menaxhon shumë lojtarë të njohur dhe trajnerë. Ramadani mori famë me menaxhimin e trajnerit Mauricio Sarri, të cilin e kaloi te Napoli dhe më pas në Angli te Çelsi.

I pagëzuar si “Mino Raiola i Lindjes”, Fali Ramadani nuk është aq i njohur sa agjenti italian apo portugezi Horge Mendes, por ka të njëjtin impakt në treg. Në bashkëpunim me Nikola Damjanac, ai drejton agjencinë “Lian Sports”, ndërsa më parë ka bashkëpunuar me izraelitin Pini Zahavi për kalimin e lojtarëve të mëdhenj në klube të mëdha. Pak muaj më parë realizoi transferimin e Luka Joviç te Real Madrid. Agjenti tetovar ka në dorë tani edhe yllin e Italisë dhe Fiorentinës, Federiko Kieza, aq shumë i kërkuar nga Juventusi dhe nga Interi këtë merkato vere. Fali Ramadani, siç shkruan edhe shtypi italian, është për momentin ndër agjentët më të kuotuar të kohëve të fundit. Ai ka një lidhje të fortë me Fiorentinën, ku ka çuar lojtarë si Stefan Jovetiç, Adem Ljajiç e të tjerë. Dhe tani, Interi dhe Juventusi kanë punë me të. Fabio Paratiçi, drejtori sportiv i Juventusit ka pasur së fundi një takim në Milano me Ramadanin për çështjen “Kieza”.

Agjenti Fali Ramadani prezanton Luka Joviç te Reali, bashkë me presidentin Perez. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Drejtuesi i kampionëve të Italisë shpreson ta bindë agjentin tetovar për kalimin e sulmuesit të ri në Torino. Pronari i ri i Fiorentinës, Komiso, është i vendosur për ta mbajtur në Firence, të paktën edhe për një vit. Ndoshta në qendër të takimit mes Paratiçit dhe Ramadanit mund të ketë qenë edhe një tjetër futbollist, Miralem Pjaniç, i cili gjithashtu ka agjent tetovarin. Boshnjaku nuk është në merkato dhe konsiderohet një nga kolonat e Juventusit “sarrian”, por deri në fund të merkatos bardhezinjve u duhet të shesin një mesfushor.

Federiko Kieza, talenti i fundit i menaxhuar nga Fali Ramadani. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë