Futboll

Yjet e Kupës së Amerikës, Mesi kundër fituesit të lindur Arturo Vidal

Me Nejmarin jashtë për shkak të skandaleve dhe dëmtimit, Brazili, vendi organizator i Kupës së Amerikës 2019, që starton më 15 qershor, do t’u besojë dorezave të portierit Alison. Veterani Diego Godin do të udhëheqë Uruguain në këtë kompeticion, kurse Arturo Vidal i Kilit do të përpiqet të mbrojë titullin nga rreziku i Leo Mesit me shokë. Nejmar u dorëzua, nuk merr pjesë në Kupën e Amerikës. Shkak janë bërë fillimisht akuzat për përdhunim nga një modele dhe më pas dëmtimi serioz në kavilje. Megjithatë, ky turne ka yjet e tij dhe katër janë ata më kryesorët, nga një për secilën nga katër pretendentet për të fituar trofeun: Brazili, Uruguai, Kili dhe Argjentina. Në këtë turne janë ftuar të marrin pjesë edhe Japonia dhe Katari.

Portieri Alison, një nga pikat kyçe të Brazilit

Alison (Brazil) - Portieri i Liverpulit kthehet në vendin e tij me medaljen e freksët të fituar në Champions League. Një pikë kyçe e Liverpulit dhe i tillë pritet të shfaqet edhe me Brazilin në Kupën e Amerikës. Është i ri, 26 vjeç dhe ka mundësinë më të mirë për t’u “shenjtëruar”. Merr pjesë për herë të dytë në Kupën e Amerikës, por ajo e 2015-ës ishte për t’u harruar për të dhe për Brazilin. Më pas erdhi zhgënjimi në Botërorin e Rusisë, por tani Alison dhe Brazili duken në formë për të shkruar një histori tjetër, edhe pa Nejmarin.

Diego Godin, lideri i Uruguait

Godin (Uruguai) – Është 33 vjeç dhe 14 prej tyre i ka me kombëtaren e Uruguait. Më shumë se 100 ndeshje me fanellën e kaltër, që e bëjnë Diego Godin, ose “Faraonin”, siç e thërrasin, farin dhe liderin e Uruguait të maestro Oskar Tabarez. Në Kupën e Amerikës ka debutuar 12 vite më parë, në 2007-ën, ngriti kupën në 2011-ën, kur luajti vetëm dy minuta, për shkak të një dëmtimi. Luan turneun e 5-të kontinental dhe e bën në momentin e kalimit nga Atletiko Madrid tek Interi.

Arturo Vidal, lideri i Kilit

Vidal (Kili) – Edhe ai duhej të debutonte në Kupën e Amerikës në vitin 2007, por preferuan ta dërgonin në Botërorin e 20-vjeçarëve. Arturo Vidal është shpirti i Kilit, që ka çuar në këtë vend dy trofe historikë në dy edicionet e fundit të kompeticionit. Fiton titullin kampion prej 8 vitesh radhazi në Itali, Gjermani dhe në Sapnjë, edhe pse është një tip që bën një jetë shumë të gjallë jashtë fushave të blerta. Një fitues i jashtëzakonshëm. Puritanëve të Barcelonës nuk u pëlqen stili i tij, në Kili e vlerësojnë maksimalisht.

Leo Mesi, ylli i Argjentinës

Mesi (Argjentina) – Kundër Vidalit ka humbur dy finalet e fundit të Kupës së Amerikës. Dy zhgënjime të forta, të cilave u shtohet edhe humbja në finalen e Botërorit të 2014-ës mes dy kompeticioneve kontinentale. Një “hat-trick” i dhimbshëm, që e ka ndezur edhe më shumë debatin mes Leos dhe asaj pjese të argjentinasve që mendojnë se ai nuk është Maradona. U largua nga ekipi kombëtar pas Botërorit të Rusisë, por u kthye për të mposhtur mitin negativ. Një sukses i mundshëm në Brazil mund ta ndihmonte për të fituar “Topin e artë” për herë të 6-të.

Grupet e Kupës së Amerikës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë