Tokio 2020

Yjet e futbollit në Olimpiadë, nga Asensio te Dani Alvesh e Kesi

Futbolli në Olimpiada nuk është sporti që rrëmben kopertinën dhe kështu do të ndodhë edhe në Tokio 2020. Kjo ndodh për shkak të limitit të moshës, por mundësia për të grumbulluar disa nga më të mirët e ngre nivelin teknik të turneut që ka nisur tashmë për sportin më të ndjekur në planet.

Përtej faktit që shumë yje janë mbajtur nga klubet e tyre, nuk mungojnë përfaqësues të nivelit të lartë botëror: Dani Alvesh, Marko Asensio dhe Frenk Kesi janë disa nga emrat më të njohur që marrin pjesë në këtë eveniment. Brazili dhe Spanja kanë më shumë lojtarë të njohur në përbërje, kurse Gjermania dhe Franca u kanë besuar vetëm të rinjve.

Vëmendje të madhe merr Spanja, që kërkon të artën olimpike dhe ka marrë me vete “artilerinë e rëndë”. Nga skuadra e Luis Enrikes janë marrë disa talente të planit të parë, si Pedri, Dani Olmo dhe Mikel Ojarzabal, por atyre u shtohen edhe lojtarë të tjerë me peshë, si Dani Sebajos i Arsenalit dhe Marko Asensio i Real Madrid. Megjithatë, Spanja barazoi 0-0 në ndeshjen e parë me Egjiptin. Po t’i hedhësh një sy grupit, skuadra iberike duket më e kompletuara, por edhe Brazili nuk qëndron prapa.

Brazili para ndeshjes me Gjermaninë. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Seleçao i ka varur shpresat te një grup heterogjen, ku spikasin Antoni i Ajaksit, Gabriel Martineli i Arsenalit dhe Riçarlison i Evertonit, autor i 3 golave në fitoren 4-2 ndaj Gjermanisë. Lideri i Brazilit është pa dyshim Dani Alvesh, që luan për San Paolon pas largimit nga futbolli europian, por ende në gjendje të bëjë diferencën.

Argjentina dhe Franca nuk paraqiten në këtë event me emra të nivelit të parë, por me shumë talente premtues, kurse te Gjermania emrat më të njohur janë Maksimilian Arnold i Volfsburgut dhe Benjamin Henrichs i Lajpcigut. Për të mos u nënvlerësuar është Bregu i Fildishtë i Erik Beilit të Mançester Junajitd dhe Frenk Kesi i Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë