Quhet Indrit Çullhaj. Është vetëm 21 vjeç. Por me arritjet e tij ka bërë që flamuri shqiptar të ngrihet në shumë vende të botës. Në moshe fare të re, por ka filluar të hedhë hapa të sigurt drejt një karrierë të lavdishme në këtë sport që momentalisht dominohet nga një shqiptare tjetër, Majlinda Kelmendi. Lidhja e Indritit me xhudon, një sport jo shumë i njohur në vendin tonë e ka burimin te familja dhe dëshira e babait të tij për ta mbajtur larg veseve të këqija.
“Sportin e xhudos e nisa në lagjen time. Babai im pa që unë kisha fuqi ndryshe nga fëmijët e tjerë dhe mendoi që unë këto fuqi të shprehja në sport dhe mos të rrija rrugëve. Që në fillim doja të bëhesha sportist elitar dhe kisha ëndërr të bëhesha dikush dhe nuk kisha në mendja që ta leja siç bëjnë pjesa më e madhe e sportistëve në Shqipëri. Bashkë me mua në këtë sport ka qenë gjithmonë edhe vëllai im, që momentalisht është trajner në klubin e Tiranës",
tregon xhudisti Indrit Çullhaj për Gazeta Si.
"Unë vëllain e kam pasur partner në stërvitje, por njëkohësisht edhe kundërshtar me të cilin stërvitesha dhe kërkoja gjithmonë maksimumin. Në rivalizonim me njëri tjetrin dhe konkurrenca ishte gjithmonë e bukur. Ai nuk më linte dhe gjithmonë më shtynte që unë të vazhdoja të garoja dhe me kalimin e kohës dhe ky inat që ne kishim me njëri tjetrin mua më bëri shumë mirë, pasi unë stërvitesha me dikë që ishte më i madh se unë dhe kur vinte koha për t’u përballur me bashkëmoshatarët e mi, unë isha shumë lart në krahasim me të tjerët”, thotë ai.
Por këto arritje janë vetëm fillimi për Indritin, pasi ai dëshiron që të ecë në gjurmët e një legjende në këtë sport siç është Majlinda Kelmendi dhe për këtë arsye, prej tre vitesh stërvitet bashkë me të në Pejë.
“Kur je në një palestër, ku stërviten kampionë nga e gjithë bota, vetvetiu ndihesh më i vlerësuar dhe i fortë. Sapo ngjitesh në tapet dhe bën përshëndetjen e ndjen veten si kampion. Dhe kur shkon në gara je më i sigurt dhe ke më shumë besim te vetja. Me Majlindën aty jemi gjatë gjithë kohës dhe kemi pasur shumë herë kontakte. Për shembull kur mbaron stërvitja për një pyetje apo një diçka që unë dua të mësoj më mirë, e pyes dhe ajo asnjëherë nuk nguron që të më ndihmojë. Unë kam shumë respekt për të gjithë kolegët në Kosovë. Unë kam shumë dëshirë që ta mësoj një kapje me të cilën ajo i ka mposhtur të gjithë në botë. Është një kapje shumë e fortë, pasi të gjithë e dinë që ajo me atë lëvizje i hedh, por përsëri nuk arrijnë që ta neutralizojnë. Atë dua unë ta mësoj. Për momentin unë e bëj shumë mirë atë kapje dhe kam ëndërr që një ditë të mund të aplikoj në një kampionat bote dhe të shkoj në hapat e Majlindës.”
Me gjithë sukseset që ka arritur në vitin 2018-të, xhudisti 21-vjeçar kërkon që ky të jetë starti i arritjeve edhe më të mëdha në vitin 2019.
“Ky vit ka qenë më i suksesshmi nga gjithë vitet e tjera, pasi kam gati tre vite që stërvitem me trajnerin Driton Kuka që ka nxjerrë sportistë elitarë si Majlinda Kelmendi dhe shumë të tjerë. Në tre vite që stërvitem atje e kam rritur shumë nivelin tim, duke u shpallur kampion i Ballkanit, por edhe në garat europiane kam arritur rezultate shumë të mira. Të jesh kampion i Ballkanit do të thotë që ti ke arritur të mposhtësh të gjithë sportistët nga vendet e Ballkanit. Ka qenë krenari më vetë kur kam mposhtur një sportist bullgar që ishte më i madh se unë dhe ishte shumë i suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Aktivitet për vitin që vjen fillojnë menjëherë në 6 janar në Austri, ku fillon përgatitjet për garën olimpike, ku do të mblidhen sportistë nga e gjithë bota. Aty do të mblidhen xhudistët më të mirë nga e gjithë bota dhe kjo është një gjë shumë e mirë, pasi do të kemi mundësi ta njohim më mirë njëri tjetrin. Aty do të kemi mundësi që ta studiojmë kundërshtarin dhe kapjet e tij më të mira, si të thuash pikat e tij të forta. Pas kësaj është aktiviteti i radhës në Paris në muajin shkurt, ku aty unë do të ndeshem për të mbledhur pikë për Olimpiadën. Gjithë xhudistët në këtë periudhë janë duke mbledhur pikë për në Olimpiadë dhe unë për momentin jam në vendin e 41 në ranglistën botërore.”
Kur flasim për Olimpiadën, ajo mbetet një ëndërr për çdo sportist profesionist. Edhe Indrit Çullhaj nuk bën përjashtim, duke thënë se do të jap maksimumin e tij për t’u kualifikuar dhe pse jo të tentojë zonën e medaljeve.
“Pjesëmarrja në Olimpiadë është një eksperiencë e paharrueshme dhe një ëndërr që unë gjithmonë do e kem derisa ta realizoj një ditë. Unë e kam bërë tatuazh Olimpiadën dhe tashmë pres që këtë ëndërr të madhe timen ta bëj realitet. Unë dua të shkoj aty duke u kualifikuar dhe jo me ftesë. Por për të shkuar aty duhet shumë punë dhe jo vetëm me fjalë. Unë synimin tim e kam që të futem në pesëshen më të mirë të Europës, por për disa gabime fatale nuk ia dola dot dhe mbeta jashtë zonës së medaljes dhe vitin që vjen besoj se do arrij më shumë medalje.”
Por këto arritje të mëdha dhe objektiva akoma dhe më madhorë kanë nevojë për mbështetje. Në intervistën e tij për Gazeta Si, xhudisti Indrit Çullhaj iu bëri një apel të gjithë instancave shtetërore që ta mbështesin më shumë këtë sport, por edhe në përgjithësi të gjithë sportistët elitarë.
“Xhudo duhet të mbështet më shumë. Unë të them që nëse sportet individuale do të mbështeten ashtu siç bëhet me sportet kolektive, të jesh i sigurt që rezultate do të jenë më të mëdha. Po pak a shumë në të gjitha sportet nuk është se ka shumë që janë të vlerësuar. Unë kam 10 vjet që merrem me xhudo dhe vetëm para 4 muajsh u vendos rroga e parë nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj falë një bashkëpunimi që ne kemi me të. Por llogarit se janë 10 vite që nëse unë do kisha pasur mbështetje, rezultatet do të ishin edhe më të mëdha. Unë nëse nuk do të kisha mbështetjen e sponsorëve të mi do ishte shumë e vështirë. Unë do të bëja apel për më shumë mbështetje. Për shembull unë dola kampion Ballkani dhe nuk mora asnjë shpërblim. Në shtetet e tjera kur sportisti del kampion Ballkani gëzohen sikur janë shpallur kampion bote dhe marrin rrogë mujore ose i japin një çek. Shtetet e tjera e vlerësojnë shumë, kurse këtu tek ne është vetëm emri kampion Ballkani ”, thotë ai
Në fund Indriti ka edhe një apel për prindërit e fëmijëve që aspirojnë të bëhen xhudistë.
“Do doja shumë që të flisja për pjesën e fëmijëve. Prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë pjesë, Nëse doni që fëmijët të largohen nga rruga dhe nga veset e këqija, nga droga, alkooli. Unë jua garantoj se mësimin më të madh për jetën do e marrin përmes sportit se nga shkolla. Duhet t’i qëndrojë sa më afër dhe t’i shtyjnë gjatë gjithë kohës.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.