Politike

Xhaçka: S’jam në konflikt interesi, e ka thënë Gjykata Kushtetuese

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar për herë të parë në lidhje me akuzat e opozitës për konflikt interesi. Ministrja foli gjatë interpelancës së thirrur nga deputeti i PD, Agron Shehaj.

Xhaçka thotë se as ajo, as bashkëshorti dhe asnjë prej familjarëve të saj nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se nuk është në konflikt interesi.

“Këtë e dinë kolegët e opozitës dhe kam dyshime që këtë e di edhe kolegu që i ka hyrë kësaj furtune në gotë. Nuk jam në konflikt interesi, e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, ILDKPI në kushedi sa raste dhe një përfaqësues serioz i popullit duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë duke kërkuar në arkivat e partisë së tij për raste të ngjashme, kur të tjerë para tij kanë ngritur akuza për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, që në asnjë moment nuk u ka ndaluar familjarëve të deputetëve dhe ministrave që të merren me biznes”, tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se me statusin e investitorit strategjik, bashkëshorti i saj ka përfituar vetëm sigurinë juridike dhe asnjë metër pronë shtetërore, apo favorizim tjetër të çdolloji nga shteti.

“Investim i gjithi privat, në një truall privat, blerë nga pronarët privatë me investitorë privatë. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall publik. Si investitor strategjik nuk ka përfituar asgjë përveç sigurisë juridike për të pasur përparësi në lidhje me kontratën e përvitshme me bashkinë përkundrejt pagesës për shfrytëzimin e plazhit”, deklaroi Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë