Futboll

Xaniolo te Gallatasaraji, kontratë deri në 2027-n dhe 20 mln euro për Romën

Gazeta Si – Tërmeti që goditi Turqinë e ngadalësoi operacionin, por bisedimet janë mbyllur pozitivisht mes palëve. Roma do të përfitojë rreth 20 milionë euro nga shitja e Xaniolos, kurse lojtari do të firmosë deri në 2027-ën.

Nikolo Xaniolo është gati të bashkohet me Ikardin, Mertens dhe Rashicën në Stamboll. Janë mbyllur pozitivisht bisedimet për transferimin te Gallatasaraji të italianit të datëlindjes 1999. Ai do të fluturojë drejt Turqisë për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën deri në 2027-ën.

Nikolo Xaniolo. Gazeta Si, 7 shkurt 2023

Bisedimet u ngadalësuan pak ditët e fundit për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë, më pas u arrit akordi. Telefonata mbrëmjen e së hënës mes Pintos dhe drejtuesve të Gallatasarajit ishte vendimtare.

Xaniolo ka pranuar të firmosë një kontratë 4-vjeçare me 3.5 milionë euro në sezon, plus bonuset, gati dyfishi i asaj që përfitonte te Roma. Në kontratë ka një klauzolë prej 35 milionë eurosh për prishjen para kohe të saj. Klauzolë që mund ta lejojë të kthehet në Itali në verë, te Milani ose Napoli.

Roma merr rreth 20 milionë euro, por 15% e kësaj shume i takon Interit. Tani pritet vetëm zyrtarizimi. Lojtari ka pasur kontakte me trajnerin e Gallatasarajit, ish-lojtarin e Interit Okan Buruk, si dhe ka biseduar në telefon me Ikardin dhe Mertens.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë