Futboll

Xaniolo operacion ‘last minute’, koha favorizon Maldinin dhe Milanin

Gazeta Si – Më shumë se çështje parash mund të jetë çështje kohe. Koha kalon dhe po afron gongu i merkatos, duke e ngushtuar rrethin e së ardhmes së Nikolò Xaniolos. Mourinjo nuk gënjen, kur thotë se lojtari mund të qëndrojë te Roma, por a është i kënaqur klubi, nëse në shkurt do ta ketë sërish në skuadër?

Tiago Pinto prej ditësh po kërkon ta sistemojë Xaniolon për të siguruar të ardhura, që do ta ndihmonin Romën të ulë 70 milionë euro plusvalenca për t’i futur në bilanc brenda fundit të qershorit.

Nikolo Xaniolo, mes Milanit dhe Totenhemit. Gazeta Si, 24 janar 2023

Roma ka marrë oferta që parashikojnë huazim me të drejtë blerjeje. Si Totenhemi, ashtu edhe Milani, kanë si pikënisje kualifikimin në Champions. I thjeshtë për t’u arritur, të paktën në letër, për Milanin. Po asgjë nuk është e sigurt dhe kjo përbën rrezik për klubin qe shet lojtarin.

Totenhemi është gati të afrojë më shumë, por kërkon që investimi të bazohet te një numër minimal ndeshjesh (15). Milani nuk shqetësohet për këtë pjesë, por ofron diçka më pak se anglezët (huazim 3 milionë dhe blerje për 22 milionë). Asnjë klub nuk e plotëson kërkesën për 40 milionë euro për një lojtar që i skadon kontrata në qershor të 2024-ës.

Pika e fundit është vullneti i lojtarit. Xaniolo preferon të qëndrojë në Itali, te Milani. Roma ndërkohë nuk do që të përforcojë një rival direkt për një vend në Champions dhe synon ta çojë në Premier Ligë. Klubi dëshiron ta shesë lojtarin, por do që të marrë pak kohë për një ofertë më të mirë. Dhe kjo kohë favorizon Maldinin, që pret që kushtet të bëhen më të mira për të. Është edhe pak më shumë se një javë për të mbyllur gjithçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë