Kosova

VV: Vendimi i Kushtetueses nuk e ndalon Kurtin të garojë në zgjedhje

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të çuar Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme ka ngritur një debat tjetër të madh në Prishtinë: a do të ndalojë ky vendim Albin Kurtin të kandidojë sërish për kryeministër.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ndalimin e personave të dënuar që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë ndikim te kandidimi i kreut të kësaj partie dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiut.

Kushtetuesja argumenton se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, "nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës".

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbërritur në Presidencë, ku po e pret ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai është i pari nga liderët e partive politike që do të takohet me Osmanin pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtuese që urdhëroi shkuarjen në zgjedhje.

Por në një reagim zyrtar, VV thotë se ky vendim vlen për rastet e dënuara me një vit e më shumë burgim. “Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e zotit Kurti dhe znj.Haxhiu, pasi nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”, thotë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.

Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë