Kosova

VV-ja rreth 15% më pak vota se zgjedhjet e fundit / Sondazhi në Kosovë: Opozita e bashkuar mund Albin Kurtin

Nga Gazeta ‘Si’-Ndërsa opozita në Kosovë ka shpeshtuar vazhdimisht sëfundmi zërat për zgjedhje të reja, një sondazh në shtatë qytete të Kosovës tregon se situata për kryeministrin Albin Kurti nuk do ishte fort e favorshme në rast të mbajtjes së tyre.

Nëse zgjedhjet në Kosovë do të mbaheshin tani, referuar përgjigjeve të sondazhit, Lëvizja Vetëvendosje ndonëse mbetet ende e para në renditje, do të merrte gati 15 për qind me pak vota nga se mori në zgjedhjet e fundit. Në 2021-shin, Kurti dhe LVV-ja në një partneritet të rëndësishëm me presidenten Vjosa Osmanin dhe partinë e saj Guxo, fituan pothuajse 50 për qind të votave në Kosovë por tre vite më vonë, situata paraqitet ndryshe.

Por sondazhi i publikuar nga Instituti ISRN, në bashkëpunim me dy institute të tjerë( Instituti i Statistikës “Rahmil Nuhiu” dhe Instituti i Ballkanologjisë) tregon në fakt se një front i bashkuar LDK, PDK, AAK do ta nxirrte Kurtin në opozitë.

Të dhënat tregojnë se LVV-ja do të fitonte 38.07 për qind ndërsa opozita e bashkuar më shumë se 47 për qind.

PDK do të fitonte 17.19 për qind, LDK 18.22 për qind ndërsa AAK-Nisma 12.44 për qind. Duket se rritjen më të madhe do ta kishte partia e Ramush Haradinaj e cila ka bërë koalicion me Fatmir Limajn.

Për kryeministër, qytetarët kanë përzgjedhur sërish Albin Kurtin, me 36.30 për qind. Në vend të dytë është Lumir Abdixhiku i LDK-së me 19.19 për qind, ndërsa Memli Krasniqi në vendin e tretë me 18.07 për qind.

Në tërësi qytetarët janë shprehur të pakënaqur me trajtimin e arsimit, shëndetësisë, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, papunësinë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Anketa përfshin Prishtinën, Mitrovicën, Pejën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajn dhe Gjakovën. Në total janë pyetur rreth 1350 qytetarë dhe përgjigjet e sondazhit janë regjistruar nga data 15-25 prill 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë