Kosova

Vuçiç: Të formojmë një ekip për të luftuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Vuçiç: Të formojmë një ekip për të luftuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë thirrje të enjten gjatë një takimi të jashtëzakonshëm të Qeverisë serbe për formimin e një ekipi për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në takimin në Beograd, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, Vuçiç u kërkoi të pranishmëve të luftojnë më shumë në politikën e jashtme, përmes bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës.

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se janë disa “gjëra të rëndësishme” për të cilat duhet të pajtohen, pa marrë parasysh se brenda një kohe të shkurtër do të formohet Qeveria e re e Serbisë.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Vuçiç e pranoi, megjithatë, se “shanset tona janë minimale”.

Ai ka kërkuar ndryshim në qasje dhe si argument kryesor kundër pranimit të Kosovës të përmendet se Prishtina nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo se “Kosova nuk është shtet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë