Serbia ka sfiduar presidentin e ri amerikan, Joe Biden për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se kjo nuk i është kërkuar Beogradit zyrtarisht në asnjë dokument.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që “njohja e ndërsjellë” mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por tha se është detyrim i tij të mbrojë interesat serbe.
Duke komentuar letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i ka dërguar atij me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ku e inkurajonte të ndërmerrte reforma dhe të “arrinte marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, Vuçic tha se çështja e njohjes nuk përmendet në asnjë dokument.
“Kam pranuar urimin, e falënderoj. Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçic, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë.
Vuçiç shtoi se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evuopian, duke respektuar pozicionin e SHBA-së, por edhe të Rusisë dhe Kinës, si dhe të vetë Serbisë.
“Unë nuk do të lejojë që të poshtërohet Serbia dhe dikush të marrë gjithçka. Por, unë nuk do të gënjej popullin dhe të them se situata do të jetë e lehtë. Do të jetë gjithnjë e më e vështirë”, tha Vuçic.
Serbia e quan dialogun e udhëhequr nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që nga viti 2011 teknik dhe refuzon të diskutojë për njohjen e Pavarësisë ndërkohë që Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.
Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trump për dialogun, Richard Grenell.
Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane por deri më tani e vetmja që po zbaton anën e saj të marrëveshjeve është Prishtina zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.