Kosova

Vuçiç: S’e ekstradoj Radoiçiç sepse nuk e njohim Kosovën

“Po talleni me mua, apo çfarë? Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiç në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për Sky News.

I pyetur për përfshirjen e Beogradit në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe për akuzat e Kosovës se Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjskë dhe i ka ofruar armë grupit terrorist, si dhe për fotografitë e publikuara nga Policia e Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, presidenti i Serbisë thotë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.

“Kush do të besojë se në fakt është ndryshe? Pothuajse askush”, tha Vuçiç në këtë intervistë.

Duke folur për Milan Radoiçiç, i cili ka pranuar se ka qenë lider i grupit terrorist, Vuçiç ka dhënë detaje të reja se si i ka siguruar armët, duke iu referuar deklaratës së Radoiçiç.

“Personi që u mor në pyetje në procedurën paraprake tha se ka blerë diçka në Serbi, diçka në Kroaci, diçka kund tjetër. Le ta verifikojmë tani”, tha Vuçiç për Sky news, duke iu referuar Radoiçiç.

I pyetur nëse Radoiçiç ka qenë aleati i tij i ngushtë, Vuçiç është përgjigjur pozitivisht: “Nuk ka dyshim, ai ka qenë nënkryetar i Listës Serbe”.

Megjithatë, ai nuk mund të thotë se ishte shoku i tij.

“Ai u akuzua. Ishte një shkelje e madhe, shumë e madhe penale”, theksoi Vuçiç.

I pyetur se pse nuk e ekstradon Radoiçiç në Prishtinë, Vuçiç përgjigjet me pyetjen: “Po talleni me mua, apo çfarë?”.

“Po ju pyes sepse e dini se ne nuk mund të ekstradojmë askënd në Prishtinë, sepse nuk e njohim Kosovën si shtet”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se agresioni që iu bë shtetit të Kosovës “është një krim i rëndë”.

Duke folur për grupin e serbëve që u përleshën me policinë e Kosovës në Banjskë, Vuçiç thekson se “ata njerëz kryesisht janë përzënë nga pragu i shtëpisë së tyre”.

I pyetur nëse ka simpati për këta njerëz, Vuçiç thotë se nuk ka dhe se e dënon vrasjen e një polici. Megjithatë, ai shton se ndryshe nga Kosova, e cila e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe rrjedhimisht edhe pjesëtarët e grupit si terroristë, ai nuk mund t’i përshkruajë kështu “njerëzit që kanë jetuar atje dhe kanë dashur të kthehen”.

I pyetur se pse nuk i normalizon marrëdhëniet me Kosovën, Vuçiç tha se “Serbia po bën gjithçka dhe është konstruktive dhe se kështu ka qenë edhe në takimin e fundit në Bruksel, duke pranuar të gjitha propozimet” e Borrellit e Lajçakut.

“Pala tjetër nuk ka dashur të bëjë asgjë lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, i cili është nënshkruar para 10 vitesh dhe nuk kanë dashur të lëvizin në atë drejtim. Ata gjithmonë kërkonin vetëm njohje dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se nuk do të kishte policë shqiptarë në veri të Kosovës nëse do të respektohej Marrëveshja e Brukselit.

Presidenti serb fajësoi sërish kryeministrin Albin Kurti për situatën në veri.

“Por e di se askush nuk do të dëgjojë këtë”, thotë ai./ZËRI/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë