Analize

Vuçiç pret në besë Trump për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem?

Serbia duket se ka prerë në besë presidentin amerikan Donald Trump, duke u tërhequr nga vendimi për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem. Beogradi ka kërcënuar së fundmi Izraelin se nuk do t’i përmbahet këtij vendimi nëse ai njeh pavarësinë e Kosovës, ashtu si parashikohej në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas burimeve të gazetës "The Jerusalem Post" pranë presidentit Vuçiç, ky i fundit e ka bërë të qartë se mund të shkelë marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë në 4 shtator, mes Kosovës e Serbisë.

“Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem, nëse Izraeli e njeh Kosovën si një vend të pavarur. Për më tepër, kjo lëvizje nga Izraeli do të dëmtonte marrëdhënien dypalëshe midis Izraelit dhe Serbisë dhe nuk do të jetë kurrë e njëjta. Është kaq e thjeshtë” u shpreh burimi.

Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje të ndara me SHBA-në në të njëjtën kohë, të ulur në anët e kundërta të Presidentit të SHBA Donald Trump në Zyrën Ovale.

Një prej pikave të marrëveshjes ishte që Izraeli do të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe që kjo e fundit të hapte ambasadë në Jeruzalem, ndërsa Serbia do të zhvendoste ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Gazeta “Jerusalem Post” shtoi se ‘shumë kanë argumentuar se vendimi i Izraelit duke njohur Kosovën, do të ishte i ngjashëm me vendet që njohin në mënyrë të njëanshme Palestinën. Serbia mësohet se vendosi të tërhiqet nga vendimi që në njoftimin e parë të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, pas marrëveshjes së nënshkruar në Uashington.

‘Ne e shohim vendimin e Serbisë dhe Kosovës për të hapur ambasada në Jeruzalem si një hap simbolik, për të promovuar paqen midis dy vendeve’, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lior Haiat.

Izraeli nuk e njohu Kosovën për më shumë se një dekadë, nga shqetësimi për dëmtimin e lidhjeve të forta me Serbinë dhe për krijimin e një precedenti për njohjen e shtetit palestinez.

Një deklaratë nga zyra e Vuçiçit, thuhet se kishte një “luftë të madhe” midis presidentit dhe negociatorëve amerikanë javën e kaluar, për njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Kjo tërheqje Serbisë është në fakt një goditje e rëndë për presidentin Trump, pasi njohja e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit është një nga betejat më të vështira të administratës së tij.

Për shumicën e amerikanëve, Ballkani është një histori e vjetër për të cilën ata nuk dinë asgjë. Lindja e Mesme është diçka tjetër. Zhvillimet atje ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve.

Trump i duhej kjo marrëveshje për një arsye tjetër: ta paraqiste veten si paqebërës. Në të vërtetë, në katër vitet e tij në detyrë, ai nuk ka filluar asnjë luftë, por as nuk ka zgjidhur ndonjë konflikt.

Duke lëvizur ambasadën e saj në Jeruzalem deri në korrik të vitit 2021, Serbia do t’i bëjë një favor shumë të madh jo vetëm SHBA-së, por edhe Izraelit, i cili tashmë ka zhvilluar lidhje të ngushta me Serbinë, por edhe Republikën Srpska.

Edhe nëse Trump humbet zgjedhjet në nëntor, Benjamin Netanyahu ka të ngjarë të qëndrojë si udhëheqës i Izraelit dhe Biden nuk ka gjasa të injorojë një marrëveshje kaq të favorshme për Izraelin.

Por nëse Serbia tërhiqet nga ky vendimi për zhvendosjen e ambasadës, pjesa tjetër e marrëveshjes do të bëhet edhe më e vështirë për t’u zbatuar. Duke shkelur këtë premtim Serbia është duke u tërhequr edhe nga vendimi për të mos lobuar kundër pavarësisë së Kosovës për një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë