Kosova

Vuçiç mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të Kosovës

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë mblidhet të premten(13 maj) në Beograd - një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Takimi, i thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pritet të nisë nga ora 11:00.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.

Në rend të ditës së seancës është aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Autoritetet e Kosovës konfirmuan të enjten(12 maj) se kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në këtë organizatë, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

"Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet", ka deklaruar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë