Kosova

Vuçiç krah Merkel: E di se Serbia nuk hyn në BE pa njohur Kosovën

Duke folur krah për krah me presidentin serb, Aleksandër Vuçic kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi të hënën në Beograd se një nga qëllimet e Gjermanisë është që të shohë anëtarësimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por shtoi se të gjitha ato kanë një “rrugë të gjatë” përpara.

Gjatë vizitës së saj zyrtare të fundit në Serbi, Merkel zhvilloi një takim me Vuçicin, ku u diskutua për bashkëpunimin politik dhe ekonomik të dy vendeve, si dhe për procesin e integrimit në BE.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni më tej drejt sundimit të ligjit, drejt shoqërisë plurale”, tha Merkel.

Vuçic tha nga ana tjetër se zyrtarët në Serbi e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Unë nuk do t'i mohoj njohuritë tona për kushtet e anëtarësimit në BE. Siç dëgjoni nga Prishtina se ata kanë Kushtetutën e tyre, ashtu e kemi edhe ne Kushtetutën tonë, të cilës i përmbahemi. Ne jemi gati për kompromis, për një zgjidhje kompromisi. Nëse pyetemi se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi vend anëtar i BE-së përpara zgjidhjes së çështjes, jemi të vetëdijshëm”, tha Vuçic.

Merkel u përgjigj se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për Serbinë, është një çështje që do të zgjidhet “në fund të një procesi”.

“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Çështja duhet të zgjidhet. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para se të zgjidhen gjërat e tjera dhe pastaj i gjithë procesi”, tha Merkel.

Ai përsëriti se nuk është për konflikt të ngrirë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe shtoi se është i hapur për dialog dhe zgjidhje kompromisi.

Të martën, Merkel do të qëndrojë në Tiranë, ku pritet të takojë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës.

Zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha se “përveç bisedimeve dypalëshe, bashkëpunimi rajonal do të jetë një temë e rëndësishme” e udhëtimit dyditor të Merkelit.

Pas 16 vjetësh në pushtet, Merkel do të largohet nga pozita e kancelares në fund të mandatit të saj të katërt, përkatësisht pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në Gjermani.

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan, që do të mbahet në tetor.

Vuçiq e cilësoi vizitën e Merkelit si “një nder të madh për Serbinë dhe një shans për ta falënderuar atë për gjithçka që ka bërë për Serbinë dhe rajonin” gjatë mandatit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë