Kosova

Vuçiç: Kosovën nuk e njohim dhe nuk do ketë sanksione për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për mediat pas takimeve me krerët e lartë të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Bruksel se askush nuk i kishte përmendur vendosjen e sanksioneve për vendin e tij.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që ta sanksionojë Serbinë për shkak të sulmit terrorist të 24 shtatorit, por Vuçiç thotë se në Bruksel nuk u përmend fare një gjë e tillë.

"Askush nuk ka përmendur asnjë sanksion ndaj Serbisë. Dëgjoj që të tjerë i kanë përmendur ato”, tha Vuçiç.

Kurti kërkoi që Vuçiç të firmosë marrëveshjet, por Vuçiç tha se Serbia ka shprehur qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar që nga Marrëveshja Themelore e vitit 2013 deri në marrëveshjet që u arritën në Bruksel dhe Ohër duke nënvizuar se Serbia nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

"Ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila gjithmonë është përsëritur, ajo është se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës. Kemi thënë se jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që është rënë dakord”, tha Vuçiç për gazetarët.

Ai tha se shprehu besimin se letra e marrë më 21 tetor për Asociacionin është një bazë e mirë për të vazhduar punën në të ardhmen. Sipas tij, Beogradi është i gatshëm të punojë me të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij.

“Për formimin e Unionit të Komunave Serbe të Kosovës nuk mund të flas për detaje sepse nuk është kemi rënë dakord për të folur për detajet. Shikoni, ne jemi sjellë shumë korrektë dhe asnjë detaj dhe asgjë nga gazetat tona nuk ka folur. Ka rrjedhur kudo sepse kjo është marrëveshja”, tha Vuçiç.

“Nuk është problem për ne që KFOR-i dhe NATO të zgjerojnë mandatin dhe të rrisin numrin e anëtarëve të tyre. Kjo është në përputhje me Rezolutën 1244, por ata nuk mund të mbështesin krijimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës sepse nuk është në përputhje me rezolutën e lartpërmendur”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiç tha se Serbia mund të krenohet me faktin se si një vend i vogël ruan të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 si bazë të mbijetesës së saj dhe i sheh ato si bazë për zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë