Kosova

Vuçiç kërkoi të vizitojë Kosovën “i armatosur”; refuzohet

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka kërkuar që të vizitojë Kosovën këtë të shtunë, por me sa duket ka marrë përgjigje negative nga autoritetet e Republikës së Kosovës.

Kërkesa e bërë përmes zyrës së ndërlidhjes së Serbisë në Prishtinë, ashtu siç parashihet në marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel, është bërë publike nga mediat në Kosovë dhe Serbi.

Sipas kërkesës, Presidenti serb synonte që të vizitonte Liqenin e Ujmanit dhe zona të tjerë ku banojnë serbë në veri të Kosovës i shoqëruar nga truprojat e tij. Ai ka kërkuar gjithashtu që ekipi i tij i sigurisë të lejohej që të mbante armë automatike dhe gjatë udhëtimit si siguri shtesë të shoqërohej edhe nga autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Pjesë e delegacionit në vizitë parashikoheshin edhe shefi i ri i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriç, i dëbuar me forcë nga autoritetet kosovare pak vite më parë, teksa vizitonte Mitrovicën pa autorizim.

Në agjendën e Vuçiç parashikohej vizita në Veriun e Kosovës dhe komunat e tjera me shumicë serbe, po ashtu edhe një vizitë Kishën Ortodokse në Graçanicë.

Mediat në Prishtinë thonë se leja është refuzuar, duke e cilësuar atë si provokim rreth situatës së fundit në lidhje me Gjykatën Speciale, deklaratat e Vuçiçit për luftë dhe sidomos pas zbulimit të varrezës masive, në afërsi të Rashkës në Serbi, me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë