Kosova

Vuçiç kërcënon me rinisje të ofensivës për “çnjohje” të Kosovës

Serbia akuzon Kosovën se synon që të shkelë marrëveshjen e nënshkruar në shtator në Uashington me ndërmjetësimin e Donald Trump, sipas të cilës Prishtina zotohet që për një vit të mos aplikojë për anëtarësim në asnjë institucion ndërkombëtar, ndërsa Serbia të ndalë përpjekjet diplomatike për të tërhequr njohjet e pavarësisë.

Deklarata është bërë mbrëmjen e së dielës nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Vuçiç foli për mediat vendase, ku pasi përshëndeti fitoren e Listës Serbe në zgjedhje tha se kishte informacione që Kosova po planifikon që të aplikojë për anëtarësim në Konferencën Europiane të Gjykatave Kushtetuese.

“Nëse këto informacione janë të sakta, kjo do të thotë se ata nuk po respektojnë asnjë pikë të marrëveshjes së Uashingtonit. Ne do të detyrohemi që të përgjigjemi dhe ata (shqiptarët) nuk do ta pëlqejnë përgjigjen tonë”, kërcënoi Vuçiç.

Presidenti serb nënkuptoi se përgjigja do të jetë rinisja e ofensivës diplomatike serbe për tërheqjen e njohjeve dhe premtoi se do të ketë plotë të tilla.

“Nuk besoj se do t’i pëlqenin të tjera tërheqje nga njohja e pavarësisë dhe mund të them se do të ketë plot të tilla”, tha ai.

Në lidhje me zgjedhjet në Kosovë, Vuçiç përshëndeti fitoren e Listës Serbe, që mbështetet nga Beogradi e që siguroi 10 nga 10 mandatet e rezervuara për serbët në Parlamentin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë