Kosova

Vuçiç informon Kinën për ‘situatën në Kosovë’

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, të cilit i ka dorëzuar “një letër sa i përket situatës në Kosovë”.

Kështu u tha në një postim të publikuar në llogarinë e presidentit serb në rrjetin social Instagram.

Letra i është adresuar udhëheqësit kinez, Xi Jinping, dhe përveç informimit për situatën në Kosovë, letra u dërgua “me rastin e thellimit të shpejtë të raporteve tona dypalëshe”, shkroi Vuçiq në Instagram.

“E falënderova ambasadorin Li Ming për reagimin e fuqishëm dhe pa ekuivok të Ministrisë së Punëve të jashtme të Republikës Popullore të Kinës sa u përket lëvizjeve të fundit të pamatura të Prishtinës, që qartazi janë të drejtuara kundër popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha ai.

Kina, së bashku me Rusinë – dy shtete aleate të Serbisë – janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Që të dy këto shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Më herët, Vuçiç kishte paralajmëruar se do të kërkonte një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Njoftimi i tij vjen pasi autoritetet në Kosovë morën vendim që të ndalonin përdorimin e dinarit serb për pagesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë