Kosova

Vuçiç i premton Merkel rinisjen e dialogut me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilluan të enjten një bisedë telefonike, gjatë së cilës diskutuan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasojat ekonomike të pandemisë si dhe integrimin europian të Serbisë. Presidenti serb mësohet se i ka premtuar Merkelit krijimin e një atmosfere të favorshme për rininisjen e dialogut me Kosovën.

Kabineti i presidentit serb njoftoi se “Merkel dhe Vuçiç ranë dakord se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është i nevojshëm, dhe se ruajtja e paqes është e një rëndësie thelbësore”.

Kancelarja gjermane, mirëpriti përparimin ekonomik të Serbisë dhe përpjekjet në rrugën europiane, duke theksuar se dialogu me Prishtinën dhe sundimi i ligjit janë të një rëndësie thelbësore.

Ndërkaq, Vuçiç i ka thënë kancelares Merkel, se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim të krijimit të një atmosfere konstruktive dhe të hapur për dialogun me Prishtinën.

Vuçic ka thënë se kompanitë gjermane në Serbi punësojnë më shumë se 67,000 njerëz dhe se, siç thuhet, ato kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të Serbisë dhe "reputacionin e saj si një vend i mirë për investime".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë