Kosova

Vuçiç do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Po bëhet kriminalizim i serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 6 korrik se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe pas kësaj, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që, bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44, të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë së Kosovës, që "kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë", për të kryer "çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura".

Vuçiç tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një "aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik" të serbëve, i cili është "mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

Sipas tij, në Kosovë po bëhet “kriminalizimi i popullit serb”.

Vuçiç tha, po ashtu, se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, partisë lidere të serbëve në veri të Kosovës, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.

“Ne do të marrim vendime në mënyrë të përgjegjshme dhe në 14 ditët e ardhshme do t'i informojmë partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 5 korrik hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka një marrëveshje. Ai tha se Marrëveshja drejt normalizimit, që palët e kanë nënshkruar në shkurt në Bruksel, si dhe Aneksi i saj në Ohër një muaj më pas, ekziston dhe se ajo duhet të zbatohet në tërësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë