Kosova

Vuçiç dhe Kurti takohen për herë të parë në Bruksel. BE optimiste për fillimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë nisur takimin e tyre të parë ballë për ballë, në Bruksel, duke shënuar kështu edhe nisjen e dialogut mes dy vendeve pas më shumë se një viti pauzë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell mikpriti dy udhëheqësit duke thënë sese është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, por se angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet ndërkohë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Kemi një moment të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Është një rast në BE për diskutimet në Ballkanin Perëndimor dhe është me rëndësi për rajonin që ta shfrytëzojë këtë rast. Dhe ky është rast për tërë rajonin e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse këto raporte janë të rëndësishme për tërë rajonin. Për stabilitetin afatgjatë, përparimin ekonomik. Përpjekjet tjera pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rrezikuara”, ka thënë Borell duke shprehur pritshmëri për një takim konstruktiv.

Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.

Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku europian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.

Bashkimi uropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë do të lehtësohet nga Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. T

Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak.

Bashkimi Europian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara

Kryeministri i Kosovës, Kurti ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se ky takim do të shënojë një rifillim të ri të procesit të dialogut.

“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet palëve në Bruksel.

Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiç ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.

“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë