Ngjarje

Atentati mafioz i biznesmenit në Fier, dyshohet për një konflikt të fundit, s’përjashtohet as vrasja e të vëllait në ’97-ën

Rikthehen vrasjet mafioze në vend. Biznesmeni Demir Backa, u qëllua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të shtunës brenda në automjetin e tij tip "Audi" teksa ishte duke parkuar pranë zonës që njihet si rrethrrotullimi i QTU-së.

Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit, por pak më shumë se një orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

Dyshohet se në atentat kanë kanë qenë dy persona, të cilët kanë hapur zjarr nga një automjet tip "Mercedes Benz". Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe në dalje të by pass-it të Fierit kanë djegur automjetin.

Makina e gjetur e djegur, me të cilën dyshohet se u krye atentati ndaj tij mbrëmjen e të shtunës, 23 tetor, ishte me targa të Kosovës.

Po verifikohet nëse jane reale apo false dhe nëse jane reale kur ka hyrë ky automjet në Shqipëri dhe në pronësi të kujt është. 

Pistat e hetimit janë disa, pasi biznesmeni mund të jetë vrarë për hakmarrje, për shkak të një konflikti të kohëve të fundit. Dyshohet që Backa ka pasur edhe një konflikt personal dhe familjar me një eksponent të fuqishëm kriminal në Fier. Ngjarja mes të dyve ka ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë dhe në incident janë përfshirë edhe familjarë të të dyja palëve.

Po nuk përjashtohet dhe pista e konflikteve të vjetra, pasi është Demir Backa është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, i vrarë në 1997. Ai njihej ndryshe si Buc Backa dhe u vra në masakrën e Levanit së bashku me 23 persona të tjerë.

14 prej tyre ishin anëtarë të një prej bandave më të rrezikshme të jugut, të cilët ishin nisur për të zhdukur bandën e Zani Çaushit dhe Komitetet e Shpëtimit, të cilët atë natë kishin vendosur të mblidheshin në Vlorë.

Demir Backa ishte pronar i bar "Piazza" në Fier si dhe zotëronte edhe një hotel në Sarandë. Policia dhe prokuroria ka grumbulluar të gjitha provat dhe kamerat e sigurisë në vengjarje dhe po hetohen në disa pista.

Kamerat e sigurisë kanë mundur të kapin brenda automjetit nga është qëlluar dy autorët por pamja vizive nuk i identifikon.

Në vendin ku u dogj makina e autorëve, policia gjeti 2 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur për krimin, një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat janë çuar në laborator për ekzaminim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë