Ka ndodhur

Atentati në Fier, dyshohet për vrasës me pagesë. Policia kontrolle në qytet

Më pak se 48 orë pas ekzekutimit mafioz të biznesmenit Demir Backa, policia e Fierit ka kryer një sërë kontrollesh në lokalet dhe banesat e personave të dyshuar si të përfshirë në vrasje.

Këtë të hënë, janë parë dhjetëra forca policore në Fier në zonën ku banon një prej personave, që viktima dyshohet se ka pasur kohët e fundit një konflikt personal dhe familjar, me inicialet A.I.

Sipas informacioneve paraprake, deri tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa personat e shoqëruar janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor.

Backa, është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, Medi Backa, i njohur si Buc Backa, i vrarë në vitin 1997 bashkë me 23 persona të tjerë, në masakrën e Levanit.

Një tjetër pistë veç konfliktit personal që Backa ka pasur me A.I, policia po heton edhe rreth veprimtarisë tregtare të kompanisë “Godolla 2013”, e themeluar nga Backa në vitin 2013, ky kryen aktivitet blegtoral në lagunës e Lushnjës.

Nga hetimet rezultojnë të përfshire tre persona, të cilët dyshohet se janë vraës me pagesë. Ata kanë ndjekur lëvizjet e Backës prej disa ditësh deri mbrëmjen e të shtunës që kanë qëlluar me breshëri automatiku.

Dy nga autorët qëlluan nga një makinë tip “Benz” në lëvizje me targa kosovare. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, në anën tjetër të qytetit, një mjet po “Benz” u gjet totalisht i djegur, ndërsa mendohet se u përdor nga autorët e ngjarjes e më pas u braktis dhe iu vu zjarri për të humbur gjurmët.

Brenda “Benzit” të djegur, u gjetën një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat janë dërguar për ekzaminim.

57-vjeçari, pronar i lokal “Piazza” në Fier, nuk ndërroi jetë në vend, por rrugës për në spital, duke mos mundur t’i mbijetojë breshërisë së automatikut që u zbraz në trupin e tij nga autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë