Ngjarje

Trafik droge në Itali, mes të arrestuarve edhe shqiptarë. Goditet grupi i Ergys Dashit i vrarë në Ekuador

Gazeta Si - Një grup kriminal që trafikonte drogë mes Europës dhe Amerikës Latine, ku kreu i organizatës ishte Ergys Dashi (i ekzekutuar në 22 janar të këtij viti në Ekuador), është goditur nga policia në Itali.

Gjatë operacionit që u finalizua këtë të enjte nga autoritetet italiane në Torino, janë arrestuar 11 persona, mes tyre shqiptarë, italianë dhe shtetas polakë.

Hetimet, të kryera në Itali, Ekuador, Slloveni, Shqipëri, Poloni, Gjermani dhe Zvicër, çuan në tridhjetë kontrolle banesash, ku agjentët sekuestruan mbi 80 kilogramë kokainë dhe më shumë se 7 kilogramë marijuanë në Itali, për një vlerë totale prej rreth 4.5 milionë euro.

Mediat italiane raportojnë se kanë arrestuar 8 korrierë të drogës në flagrancë, të cilët udhëtonin me makina të modifikuara në Slloveni.

Gjithashtu, janë zbuluar rrugët që do të shërbenin për furnizimin e lëndëve të paligjshme (rruga e Atlantikut për kokainën dhe vendet e Ballkanit për marijuanën), të destinuara për shitje në veri të Italisë, Slloveni, Holandë, Zvicër dhe Gjermani.

Hetimi lidhet me vrasjen e ndodhur para rreth 3 muajsh në një restorant në Guajakilit të Ekuadorit, ku u vra shqiptari Ergys Dashi, i cili dyshohet se ishte kreu i organizatës kriminale të trafikut të drogës.

Hetimet kanë nisur në fakt që në vitin 2017, pas një sërë arrestimesh në lokalet e natës së Torinos (qarqet San Salvario dhe San Paolo).

Karabinierët mblodhën prova për të rindërtuar zinxhirin e supozuar të shpërndarëve të drogës, të gjithë nga Afrika Qendrore, që arrinin te një subjekt shqiptar, përmes të cilit prodhuesit, korrierët dhe blerësit e huaj mbyllnin aferat e trafikut.

Së fundi, organizata përdorte disa shtëpi të marra me qira për ruajtjen e drogës dhe makina me fuqi të lartë me ndarje artizanale për të fshehur transportin e substancave narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë