Kombëtarja shqiptare nisi të hënën grumbullimin për ndeshjen miqësore me Jordaninë, që luhet më 10 tetor, dhe atë me Izraelin për Ligën e Kombeve. Në listën e trajnerit Kristian Panuçi ka pasur lojtarë të grumbulluar për herë të parë, por edhe rikthime. Fanellën kuqezi e ka veshur për herë të parë sulmuesi Xhakomo Vrioni, i cili ka dalë në konferencën e parë të shtypit bashkë me mbrojtësin e krahut të majtë, Egzon Binakun.
Vrioni, një sulmues premtues që aktivizohet me Venecian, por që kartonin e tij e ka Sampdoria, ka pranuar me sinqeritet se Italia nuk e thirri më dhe ai vendosi të luajë për Shqipërinë, pas një reflektimi që ka pasur bashkë me prindërit e tij: “Nuk e prisja ftesën kaq shpejt, sepse luajta vetëm një ndeshje me ekipin Shpresa. Gjithçka është bërë në rrugë zyrtare, më telefonuan dhe më thanë se jam grumbulluar me Kombëtaren. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të bëj më të mirën time. Italia nuk më thirri dhe pas një momenti reflektimi bashkë me prindërit, zgjodha Shqipërinë. Zgjedhjet i takojnë trajnerit, unë do të mundohem të jap më të mirën. Të gjithë bashkë mund të bëjmë që Shqipëria të kualifikohet në një kompeticion madhor. Më pëlqejnë shumë Sadiku dhe Balaj”, – tha në konferencë sulmuesi 19-vjeçar.

Egzon Binaku ka folur shumë shkurt, pasi ka vështirësi me gjuhën shqipe. Mbrojtësi shkëlqeu në ndeshjen e parë ndaj Izraelit dhe shpreson që Shqipëria të fitojë edhe në fushë kundërshtare me këtë ekip. “Në Izrael do të shkojmë vetëm për të fituar dhe për këtë do të punojmë gjatë këtyre ditëve. Nuk luajtëm mirë me Skocinë, por tashmë e njohim këtë kundërshtar dhe e dimë çfarë duhet të korrigjojmë. Jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në Kombëtare, që trajneri ka besim tek unë. Ana psikologjike është një faktor shumë i rëndësishëm për ndeshjet e radhës”, – tha Binaku.

Ndeshja miqësore me Jordaninë do të jetë në funksion të transfertës me Izraelin. Trajneri Panuçi do të testojë grupin para ndeshjes së tretë në grup për Ligën e Kombeve për të parë gjendjen e gjithë lojtarëve të gatshëm. Ndaj Jordanisë do të ketë minuta për të gjithë, për të nxjerrë konkluzionin se cilët do të jenë lojtarët më në formë për të luajtur nga minuta e parë në Izrael. Pas dy ndeshjeve të para, Shqipëria mban vendin e dytë, me 3 pikë, aq sa ka edhe Skocia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.